FIER-Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka sekuestruar 2.6 milionë euro në llogari bankare, si dhe një automjet luksoz tip “Bentley”, në kuadër të hetimeve për falsifikimin e dokumenteve dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Pasuritë i përkasin Kastriot Hasko i cili aktualisht ndodhet nën masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”.
Hasko u arrestua së bashku me ish-drejtorët e Kadastrës Ertis Shehu dhe Bardhyl Kapaj, për falsifikim dokumentesh pronësie në zonën e Semanit. Sipas hetimeve të Prokurorisë Hasko ka përdorur dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier, përmes të cilave ka arritur të regjistrojë në emrin e tij dhe të katër personave të tjerë 1143 hektarë tokë në zonat e Semanit të Ri dhe Sheq Marinasit.
Pasi ka regjistruar pronat, Haskaj dyshohet se ka përdorur edhe një prokurë të posaçme të falsifikuar, duke u paraqitur si përfaqësues i bashkëpronarëve të tjerë. Në këtë mënyrë, ai ua ka shitur tokat dy kompanive të ndryshme. Ndërkohë ish-drejtorët Ertis Shehu dhe Bardh Kapaj, së bashku me juristin Piro Çela, akuzohen se kanë regjistruar pronat në kundërshtim me ligjin, pa kërkuar konfirmimin e vendimeve të kthimit të pronave nga Agjencia e Trajtimit të Pronave.
Në kuadër të hetimit Prokuroria ka vendosur sekuestrimin e 76 pasurive, të cilat kapin një sipërfaqe totale prej rreth 1,143 hektarësh. Po ashtu janë sekuestruar edhe 150 mijë euro.
Njoftimi i prokurorisë:
Hetimet mbi falsifikimin e pronave, Prokuroria e Fierit sekuestron 2.6 milionë euro llogari bankare të shtetasit K.H., dhe një ‘Bentley’
Me vendim të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u sekuestruan 2.6 milionë euro në llogari bankare si dhe një automjet tip ‘Bentley’ të shtetasit K.H., nën akuzë për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga nenet 186/2 dhe 287 të Kodit Penal.
Ky shtetas, aktualisht me masë sigurimi “Arresti në shtëpi”, nëpërmjet vendimeve të falsifikuara ka arritur të regjistrojë sipërfaqe të konsiderueshme toke. Për rrjedhojë në vijim të hetimeve u sekuestruan:
Llogari bankare me vlera:
- 2,610,195 Euro (dy milion e gjashtëqind e dhjetë e njëqind e nëntëdhjetë e pesë euro);
- 1,865,076 Lek (një milion e tetëqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë e shtatëdhjetë e gjashtë lek);
- 7,515 USD (shtatë mijë e pesëqind e pesëmbëdhjetë dollarë amerikanë); si dhe
- Një automjet tip “Bentley” model “Flying Spur”, vit prodhimi 2024, me vlerë blerje të deklaruar 250,000 Euro (dyqind e pesëdhjetë mijë euro), të cilat dyshohen se janë produkte të veprave penale objekt i hetimeve të këtij procedimi penal.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë për hetimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive me prejardhje nga veprimtari kriminale.


