Aktualitet

Provat e SPAK ndaj Ballukut 'ndezin' debat! Kuvendi ‘kyç’ në kasafortë USB-në. PD: Duam materialin, strategjia e PS

Bëhet fjalë për një USB me disa materiale, për të cilën SPAK i kërkon Këshillit të Mandateve të njihet, por pa prezencën në sallë edhe të vetë Belinda Ballukut.

F.I
Provat e SPAK ndaj Ballukut 'ndezin' debat! Kuvendi
Belinda Balluku

TIRANË-Këshilli për Mandatet dhe Rregulloren do të mblidhet ditën e premte në orën 10:30 për të shqyrtuar kërkesën e SPAK, lidhur me heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku, me qëllim arrestimin e saj. Por provat e SPAK tashmë të dorëzuara në Parlament kanë 'përplasur' opozitën me Kuvendin, ndërsa Partia Socialiste pret të premten.

PD kërkon të njihet me provat

Fillimisht kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka futur në kasafortë provat që SPAK ka paraqitur për kërkesën drejtuar parlamentit për heqjen e imunitetit të deputetit Belinda Ballukut. Berisha thotë se Peleshi nuk ia dorëzon provat as deptuetëve të opozitës e as anëtarëve të Këshillit të Mandateve.

Sali Berisha: Prokuroria ka dorëzuar kërkesën dhe provat, se ku e bazojnë kërkesën e tyre për arrestimin e Lubi Ballukut. Niko Peleshi ka futur provat në kasafortë dhe nuk ua jep deputetëve të opozitës, anëtarë të komisionit të verifikimit të mandateve. Kjo nuk ka ndodhur kurrë. Nuk ua jep sepse provat kanë gjëra të llahtarshme, të cilat e tregojnë Lubinë thjesht një shërbëtore të Edi Ramës. Dhe ai nuk u jep dhe kërkon të mbledhë Këshillin e Mandateve pa dorëzuar të plotë dokumentet anëtarëve të Këshillit të Mandateve. Ky është një akt antikushtetuese, antiligjor.

Kuvendi: Sekret hetimor

Nëpërmjet një reagimi zyrtar, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi bëri të qartë se materialet sekrete te SPAK nuk do ju jepen deputetëve të Komisionit të Mandate, Rregulloren dhe Imunitetit përpara mbledhjes të së premtes. Konkretisht në një reagim zyrtar, Kuvendi bën me dije se materiali me karakter 'sekret hetimor' ndodhet në kasafortën e specialistit të protokollit për dokumentacionin e klasifikuar. Kuvendi thekson se kjo çështje do të dhe mënyra e njohjes me këtë informacion do të diskutohen në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në prani të prokurorit të SPAK-ut.

Jo vetëm dosje, por edhe USB

Burime për Top Channel bëjnë me dije për ekzistencën e një prove tjetër mbërritur në kuvend prej SPAK. Bëhet fjalë për një USB me disa materiale, për të cilën SPAK i kërkon Këshillit të Mandateve të njihet, por pa prezencën në sallë edhe të vetë Belinda Ballukut. Këshilli përbëhet nga 10 anëtarë, 5 mazhoranca dhe 5 opozita: Niko Peleshi, Taulant Balla, Ulsi Manja, Bledi Çuçi, Bledi Çomo, Antoneta Dhima anëtar zëvëndësues, Arkend Balla anëtar zv/anëtarë, Gazment Bardhi, Oerd Bylybashi, Elda Hoti, Gent Strazimiri, Saimir Korreshi, Ivi Kaso zv/anëtarë dhe Gerta Bardeli zv/anëtarë. 

Qëndrimi i PS

Po të njëjtat burime bëjnë me dije se fillimisht do të dëgjohen palët në Këshill pra SPAK dhe Belinda Balluku e më pas do të kalohet në një fazë diskutimi brenda PS drejt vendimit final që do të paraqitet në këshill e më pas votuar në parlament. 

Ditën e premte, Këshilli i Mandateve i cili përbëhet nga 10 anëtarë, 5 mazhoranca dhe 5 opozita, do të shqyrtojë kërkesën e SPAK ndaj Ballukut. Ky Këshilli brenda 2 javësh harton raportin që u shpërndahet deputetëve, ku rekomandon miratimin ose rrëzimin e saj. Në fund kërkesa futet si pikë e parë e rendit të ditës në seancën plenare. Kuvendi me shumicë votash voton ose jo heqjen e autorizimit.

Kërkesa e SPAK

SPAK i kërkon Kuvendit autorizim për arrestimin e Belinda Ballukut. Për të vendosur Ballukun në masë arresti me burg ose arrest shtëpie, do duhet që Kuvendi të miratojë heqjen e imunitetit të deputetit. Në kërkesën drejtuar Kuvendit, Prokuroria e Posaçme informon se Belinda Balluku po hetohet në total për 8 procedura prokurorimi. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. Ndërkohë, Balluku është vënë në hetim edhe për të 7 lotet e Unazës së Madhe, një projekt për të cilin janë prokuruar 45.9 miliardë lekë (450 milion euro)./ZËRI

Poll

MOS HUMB