
TIRANË- Nuredin Dumani, një nga figurat më të njohura të krimit në Shqipëri, i akuzuar për një seri vrasjesh dhe tani bashkëpunëtor i drejtësisë, duket se e ka nisur “karrierën” e tij kriminale shumë vite më parë me veprime të vogla e të paorganizuar. Gazetari Flamur Vezaj ka publikuar së fundmi në rrjet disa foto të vjetra të Dumanit, të shkrepura rreth 14 vite më parë, duke zbuluar disa detaje nga fillimet e tij si grabitës.
Sipas Vezajt, fotot i përkasin periudhës kur Dumani ishte vetëm 23 vjeç dhe, siç dëshmojnë imazhet, ai shfaqet duke pozuar krenar me tufat e parave, të cilat dyshohet se janë përfituar nga grabitjet e shtëpive të zonave rurale.
"Siç duket në këto foto, ai është 23 vjeç dhe duket i lumtur me tetë tufat e parave, të siguruara ndoshta nga ndonjë 'kotec' i vjedhur," shkruan Vezaj, duke theksuar se në atë kohë Dumani njihej si grabitës i shtëpive të fshatrave, shpesh duke u shënjestruar mbi të moshuar apo tregtarë lokalë.

Në njërën nga fotot, Dumani duket duke ndarë paratë me vëllanë e tij, Dashnor Dumani, i cili aktualisht është në kërkim për një vrasje të trefishtë të ndodhur në 2018-n në Elbasan. Një tjetër foto e shfaq Dumanin duke “dorovitur” një bashkëpunëtor, duke konfirmuar rolin e tij si udhëheqës i një rrjeti të vogël kriminal që në fillimet e tij.

Fotot janë realizuar më 22 shtator 2010, brenda një shtëpie modeste, një kontrast i fortë me kushtet e qelisë ku Dumani ndodhet sot, i akuzuar për vrasjen e 12 personave dhe i kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë.
Postimi nga Flamur Vezaj:
Vrasësi” Dumani para se të bëhet “VIP”
Ky që shikoni është Nuredin Dumani, 14 vite më parë, në fillim të “karrierës” së tij kriminale! Siç duket në këto foto, ai është 23 vjeç dhe duket i lumtur me tetë tufat e parave, të siguruara ndoshta nga ndonjë “kotec” i vjedhur!
Në atë kohë, në kartelën e policisë, Dumani njihej si grabitës pulash, i ndonjë shtëpie fshati ku kishte të moshuar, apo shtepi të ndonjë tregtari, biznesi ose kambisti të zonës! Ende nuk kishte filluar “karrierën” si vrasës, pasi në atë kohë ishte thjesht një “çerr” i Talo Çelës nga Sinaballaj e Rrogozhinës!
Nga fotot duket qartë se Dumani, sot i akuzuar për 12 vrasje dhe i dyshuar gjithashtu për vrasjen me tritol të të pafajshmit Enea Thomallari, mburret me tufat e parave që, me shumë mundësi, në atë kohë ka grabitur ndonjë kambisti ose shtëpi të ndonjë tregtari. Duket qartë që katër nga tetë tufat e lekëve janë të mbështjellë me shiritin e bankës dhe të firmosura nga një punonjës bankar.
Këto foto janë shkrepur më 22 shtator 2010, mes orës 18:21 dhe 18:22 minuta, siç duket brenda ambienteve të një shtëpie modeste, ndryshe nga kushtet që sot vrasësi i 12 personave dhe bashkëpunëtori i drejtësisë ka brenda ambienteve të qelisë!
Nëse shikon me kujdes këto foto, ato tregojnë shumë për gjendjen e tij psikologjike! Ai duket i eksituar që ka siguruar tufat e parave, me të cilat pozon për t’i ruajtur si kujtim fitimet e krimeve të para të tij!
Në foton nr. 1, përveç fotografimit të vetes, ai është kujdesur të shkrepë aparatin edhe në momentin e ndarjes së fitimit me të tjerët.
Në foton nr. 2, Nuredin Dumani duket se ndan tufën e parave me vëllanë e tij, Dashnor Dumani, tashmë i shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë të ndodhur në 2018 në Bradashesh të Elbasanit.
Ndërsa në foton nr. 3, Nuredin Dumani shfaqet duke dorovitur një person tjetër, që duket se është “punëtor” i tij në planet kriminale.
Pra, 14 vite më parë, bashkëpunëtori i drejtësisë sot siguronte tufa me lekë, pasi ishte vetëm një hajdut i rëndomtë dhe i pa kuotuar ende në “bursat” kriminale të vrasjeve me pagesë!
Ndërkohë, vetëm pak vite pas shkrepjes së këtyre fotove, Dumani u rekrutua si vrasës nga shefi i tij, Talo Çela. Më pas rezultoi, edhe nga bisedat e ndryshme në SkyEcc, se vrasësi i 12 personave nuk bënte pazare më me lekë, por vetëm me euro dhe shuma të mëdha! Ai arriti deri në atë pikë sa, nga delitantizmi i tij, pretendonte në bisedat e SkyEcc se do i vendoste gjobë specialistit të gjobëvënies, Emiljano Shullazi, etj!
Nuredin Dumani dyshohet se ka urdhëruar dhe organizuar nga burgu shpërthimin me tritol më 14 korrik 2024 në një pallat në Elbasan, ku jetonin motrat Xhovana dhe Alda Nikolli. Nga shpërthimi u plagos fqinji Enea Thomaraj, 29 vjeç, i cili ndërroi jetë tre muaj më vonë./ ZËRI