
TIRANË-Enis Vrapi, 42-vjeçari që qëlloi një mjeke në QSUT me pistoletë me gogla dhe përplasi 3 automjete të policisë gjatë arratisjes, ngjarje e ndodhur paraditen e së premtes (23 Maj) është arrestuar. Gjatë kontrollit të banesës dhe të automjetit të tij, iu gjetën sasi municioni për armë zjarri, si edhe armë gjahu, armë të ftohta e pjesë përbërëse arme.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin E. V., 42 vjeç, pasi ditën e djeshme, ka rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë, duke përplasuar 3 automjetet e tyre, me automjetin që drejtonte, ku si pasojë, u dëmtuan lehtë 2 punonjës policie të qarkullimit rrugor, ka qëlluar me pistoletë lodër një mjeke të QSUT-së, si dhe ka kundërshtuar me dhunë një punonjës SHPSF.
Gjatë kontrollit të banesës dhe të automjetit të tij, iu gjetën sasi municioni për armë zjarri dhe armë gjahu, armë të ftohta dhe pjesë përbërëse arme.
Incidenti ndodhi mesditën e 23 majit, ku 42-vjeçari Enis Vrapi, i cili raportohet se ka probleme të shëndetit mendor, u pikas fillimisht në zonën e Medresesë në Tiranë. Me makinën e tij, ai nisi të përplaste disa mjete policie dhe vuri në rrezik jetën e qytetarëve. Edhe pse i bënë me shenjë që të ndalonte, i riu vazhdoi që t'i jepte makinës në mënyrë të pakujdesshme. Ai arriti që të ndalohej në rrugën “Fortuzi” pranë Shkollës Jeronim DeRada.