TIRANË- 7 muaj pas arrestimit të tij, Erion Veliaj vijon përballjen me Prokurorinë e Posaçme, e cila ka refuzuar kërkesën e tij për t’u përfaqësyar dhe me avokatë të huaj, që sipas kryebashkiakut të vënë në pranga, do të përgatisin dosjen për në Gjykatën e Strasburgut. Aktualisht Veliaj mbrohet nga avokatët Ermir Beta dhe Artur Selmani, por përmes një kërkese drejtuar SPAK, shpehej se i duhej takim me avokatët e huaj, kërkesë e cila i është refuzuar.
Veliaj ka bërë ankimim në Gjykatën e Posaçme dhe do të jetë gjyqtari Erion Bani, ai që do të marrë vendimin. Sipas SPAK, aktualisht Veliaj ka dy avokatë dhe nuk i është mohuar e drejta e tij për të pasur përfaqësues ligjor.
“Përveç procesit penal vendas, çështja ka marrë dimension ndërkombëtar për shkak të pretendimeve për shkelje të të drejtave themelore të garantuara nga KEDNJ, përfshirë nenet 5, 6 dhe 8. Në këtë kuadër janë angazhuar avokatët Ben Brandon, Celia Marr, Daniel Fetterman dhe Joshua Roberts për procedurën para GJEDN”, thuhet në ankimin e Veliajt.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, ligji shqiptar lejon vetëm dy avokatë mbrojtës, dhe se përfaqësuesit e huaj ligjor duhet të jenë të regjistruar në një studio avokatie në Shqipëri, ose në një vend të BE-së. SPAK ka mbyllur hetimet për Veliajn, dhe bashkëshorten e tij, dhe dosja pritet të dërgohet tashmë në gjykatë.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, akuzohet për 9 raste korrupsioni pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Ai u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash 'OJF'.
Kallëzimi për Veliajn u dorëzua nga një profil i rremë, nën identikitin Nesti Angoni, një person që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë. Që nga zbulimi i këtij fakti ka pasur shumë aludime se cili është personi që fshihet pas kësaj nofke, por deri më tani nuk është zbuluar./ZËRI


