Aktualitet

Raporti i SPAK 2024! Brenda vendit 16 banda, Fieri qyteti ku grupet kriminale nuk kanë aktivitet

'Sky ECC' mundësoi identifikimin e 10 prej tyre me aktivitet kriminal në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Lezhë dhe Kukës.

F.I
Raporti i SPAK 2024! Brenda vendit 16 banda, Fieri qyteti ku grupet kriminale
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Në raportin vjetor për vitin 2024 Prokuroria e Posaçme ka zbuluar detaje lidhur me mënyrën se si funksionojnë grupet kriminale shqiptare dhe ku operojnë këto grupe. Sipas të dhënave, në vend janë identifikuar 16 grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të cilat janë aktive në qarqet e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Kukësit, Lezhës, Elbasanit dhe Vlorës. 

'Sky ECC' mundësoi identifikimin e 10 prej tyre me aktivitet kriminal në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Lezhë dhe Kukës. Ajo që bie në sy në këtë raport është mungesa e qytetit të Fierit edhe pse shpesh është folur për personazhe të rëndësishëm të narkotrafikut. 

"Sipas vlerësimit të brendshëm të SPAK, janë identifikuar rreth 16 grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të cilat janë të mbështetur në lidhje familjare dhe miqësore dhe janë të përfshirë edhe në tregjet ndërkombëtare kriminale, kryesisht në trafikun e kokainës. Këto grupe janë aktive në qarqet e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Kukësit, Lezhës, Elbasanit dhe Vlorës. SPAK ka arritur të provojë me sukses 10 prej këtyre grupeve kriminale me aktivitete kriminale në disa qytete të vendit si Tiranë (3); Durrës (2); Elbasan (2); Shkodër (1), Lezhë (1) dhe Kukës (1),"-thuhet në raportin e SPAK.

Raporti i SPAK 2024! Brenda vendit 16 banda, Fieri qyteti ku grupet kriminale
pjesë nga raporti i SPAK

Sipas SPAK, këto grupe vijojnë të jenë aktive në tregjet ndërkombëtare të drogës, kryesisht në trafikun e kokainës dhe kanabisit, me një shtrirje të konsiderueshme në disa shtete të Bashkimit Evropian (BE) dhe më gjerë. 

Kokaina kryesisht porositet në sasi të konsiderueshme në Bolivi, Meksikë, Peru, Ekuador, dhe Paraguai. Në raport thuhet se këto dërgesa kalojnë në BE dhe Ballkanin Perëndimor kryesisht nëpër porteve hyrëse të Gioia Tauro (Itali), Roterdam (Holandë), Antwerp (Belgjikë), Algeciras (Spanjë), Pire (Greqi), si dhe nëpërmjet porteve të Durrësit (Shqipëri) dhe Tivarit (Mal i Zi). Po ashtu, shumë prej eksponentëve kryesorë të këtyre grupeve janë vendosur në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Përveç trafikut të drogës, raporti i SPAK thekson se grupet kriminale shqiptare janë gjithashtu të përfshira në aktivitetet e kontrabandës së qenieve njerëzore dhe krimit kibernetik. Ndër të tjera, këto grupe kriminale sipas SPAK, përdorin teknologji të avancuar për të mbajtur komunikimet sekrete, duke aplikuar sisteme të koduara si Sky ECC./ZËRI

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB