TIRANË-Më 17 maj 2024, ZËRI publikoi dokumentarin “Qumështi i ndaluar”, i cili denonconte ndikimin e rrjeteve sociale dhe reklamimit në zgjedhjet e nënave për ushqyerjen e foshnjave. Dokumentari nuk kishte si qëllim të gjykonte nënat që përdorin qumësht formulë, por të tregonte se si mungesa e informacionit të saktë dhe presioni i rrjeteve sociale po i shtynte ato drejt përdorimit të formulës, shpesh pa qenë realisht e nevojshme.
Në dokumentar u evidentua se rrjetet sociale, përmes influencerëve dhe reklamave të fshehura, po e kthenin qumështin formulë në një “zgjidhje të shpejtë”, duke minimizuar rëndësinë e ushqyerjes me gji dhe duke anashkaluar rreziqet e mundshme për shëndetin e fëmijëve.
Tërheqja nga tregu e Nan Optipro
Rreth dy vite pas këtij denoncimi, shqetësimet e ngritura nga ZËRI u reflektuan në një rast konkret: tërheqjen nga tregu të qumështit formulë “NAN 1 OPTIPRO”, pasi u konstatua prania e bakterit cereulide, i cili shkakton probleme serioze gastrointestinale tek foshnjat. Ky rast tregoi se rreziku nuk është teorik, por real. Produktet që promovohen gjerësisht në rrjete sociale dhe rekomandohen shpesh pa analiza të thelluara dhe pa udhëzimin e specialistëve mund të përbëjnë një kërcënim për shëndetin e fëmijëve.
Por çfarë thonin nënat për ZËRI?
Në konsultoret e Tiranës, shumë nëna na treguan se kanë filluar përdorimin e qumështit formulë jo gjithmonë për arsye mjekësore, por të ndikuara nga: rekomandimet në rrjete sociale, përvojat e ndara nga influencerët, reklamat e fshehura dhe informacionet në internet. Njëra prej tyre tregonte se, edhe pse ishte e vendosur të ushqente fëmijën me gji, presioni i vazhdueshëm e kishte shtyrë të merrte formulë “për çdo rast”.
Ky realitet tregon se vendimet për ushqyerjen e foshnjave shpesh nuk bazohen në këshillë profesionale, por në perceptimin e krijuar nga rrjetet sociale.
Eksperti i medias sociale, Tomi Kallanxhi, ka theksuar se shumë influencerë promovojnë produkte pa i përdorur vetë dhe pa qenë të kualifikuar për të vlerësuar cilësinë e tyre. Shpesh, postimet reklamuese nuk shënohen si të tilla, duke i bërë të duken si përvoja personale dhe duke mashtruar indirekt prindërit. Në këtë mënyrë, reklamimi maskohet si këshillë prindërore, duke krijuar besim të rremë.
*Përplasja e mjekut Edi Tushe me Eliona Pitarkën, prishje interesash apo përpjekje për të ndaluar influencimin e gabuar?
Debati mes blogeres Eliona Pitarka dhe pediatrit Edi Tushe është një shembull konkret i këtij fenomeni.
Mjeku ka deklaruar se këshillat e tij për fëmijët e Pitarkës janë përdorur jashtë kontekstit për të promovuar produkte. Ndërkohë, Pitarka ka pohuar se ka synuar vetëm të ndihmojë prindërit që nuk përballojnë dot konsulta të shtrenjta me mjekun.
Çështja tashmë ka përfunduar në gjykatë, ndërsa për vite me radhë ndjekësit e blogeres janë ekspozuar ndaj reklamave për klinikën ku punon pediatri. Megjithatë, sot asnjëra palë nuk sqaron plotësisht një problem themelor: natyrën reale të bashkëpunimit të tyre dhe kufirin mes këshillës profesionale dhe interesit ekonomik.
A ka pasur një marrëdhënie bashkëpunimi mes mjekut dhe blogeres për promovimin e shërbimeve apo produkteve? A janë përdorur rekomandimet mjekësore si mjet marketingu? Dhe mbi të gjitha, kush mban përgjegjësi kur këto mesazhe ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e fëmijëve?
Qartësisht duket se nuk bëhet fjalë për incidente të izoluara, por për një fenomen të përsëritur, ku interesi tregtar shpesh vendoset mbi sigurinë e fëmijëve tanë. Për sa kohë këto pyetje mbeten pa përgjigje, prindërit do të vazhdojnë të orientohen nga burime të pasigurta, ndërsa vendimet për ushqyerjen dhe shëndetin e foshnjave do të ndikohen më shumë nga algoritmet sesa nga shkenca.
Dokumentari i ZËRI-t ngriti alarmin dy vite më parë. Sot, zhvillimet e fundit tregojnë se problemi jo vetëm që nuk është zgjidhur, por është bërë edhe më kompleks. Dhe në këtë zinxhir ndikimi, nga reklama te vendimi i nënës, e deri te pasojat shëndetësore hallka më e pambrojtur mbetet gjithmonë fëmija./ZËRI



