Qytetërim

“Nuk bëj kompromis me tregtarët”, mjeku Tushe thyen heshtjen, flet për herë të parë për përballjen me blogeren

Vetë Pitarka ka folur vazhdimisht me superlativa për mjekun Tushe, pavarësisht betejës së nisur me klinikën ku pediatri ofron shërbimin e tij

E.K
“Nuk bëj kompromis me tregtarët”, mjeku Tushe thyen
eliona pitarka dhe edi tushe

TIRANË- Mjeku pediatër Edi Tushe, ka thyer heshtjen, pasi emri i tij u bë subjekt i një përballje mes klinikës private ku ai punon, dhe i blogeres Eliona Pitarka, debat i cili u ndoq me interes, pasi në lojë është shëndeti i fëmijëve. Në një intervistë për gazetaren Alma Demiraj, Tushe shpreh se nuk ka bërë asnjëherë kompromise me profesionin e tij, teksa u bëri thirrje prindërve të mos u referohen rrjeteve sociale. Ai tha se këshillat e dhëna për një fëmijë, në këtë rast vajzat e Pitarkës, nuk mund të përdoren për fëmijë të tjerë, pasi nevojat janë specifike për gjithësecilin.

“Ato janë shpesh herë çorientuese, sepse informacioni që japin është i ndryshëm. Çdo individ është i ndryshëm nga tjetri. Unë mendoj që rrallë një nënë dëmton fëmijën e vet. Nuk mendoj se të gjithë prindërit i referohen rrjeteve sociale; ata gjithmonë kanë një këshillues dhe i drejtohen mjekut. Informacionet e marra nga rrjetet sociale shpesh janë të gabuara dhe nuk duhet të përdoren si element orientues për fëmijën.

Unë, gjatë gjithë jetës sime, nuk kam bërë kompromise me profesionin tim, veçanërisht me ata që janë tregtarë. Kur jap një informacion, e jap për këdo. Natyrisht, kontakti me pacientin dhe rasti janë shumë individualë dhe nuk mund të përdoren apo, aq më tepër, të deformohen. Nuk mund t’i japësh informacion të njëjtë çdo personi. Unë dua ta neglizhoj këtë debat për diçka të kësaj natyre. Çdo njeri flet për ndërgjegjen e vet dhe kjo më shqetëson. Të përdorësh një informacion dhe më pas të vendosësh reklama të caktuara është gabim në këtë rast.

Prindërit nuk duhet të ndjekin gjëra të tilla; mjeku është ai që përcakton se çfarë duhet bërë. Australia i ka mbyllur rrjetet sociale, sepse ato shkaktojnë dëme në jetën e njeriut, ndërsa ligje të ngjashme po përpilohen edhe në Europë”, u shpreh Tushe.

Ndërkohë vetë Pitarka ka fshehur vazhdimisht vlerësimin e saj për mjekun Tushe, por sipas blogeres emri i tij po përdoret nga klinika për qëllim biznesi. Nga ana tjetër vetë Eliona ndante këshilla për komunitetin e nënave që e ndiqnin, pikërisht duke iu referuar mjekut Tushe, ndërsa postimet e saj përmbajnë edhe produkte reklamash, pasi ajo paguhet për përdorimin e tyre. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB