
SHËNGJIN-Revolta e emigrantëve të dëbuar nga Italia në kampin e Gjadrit nuk ka kaluar pa të lënduar. Përpos dhunës, shkatërrimit të dhomave dhe thyerjes së xhamave, tre prej emigratëve janë lënduar.
Emigrantët janë plagosur duke i shkaktuar vetes plagë me thikë. Ata janë trajtuar menjëherë nga personeli mjekësor i qendrës dhe fatmirësisht, nuk kanë pësuar dëmtime serioze. Pas hetimeve të kryera mbi këto trazira, 10 emigrantë janë futur në qelitë e burgut të ndërtuara brenda objektit posaçërisht për raste të tilla. Ata do të mund të takohen vetëm me avokatët e tyre.
Çfarë ndodhi mbrëmjen e 14 prillit brenda kampit
Raportohet se dhuna dhe tensionet në kamp shpërthyen pasi 20 nga 40 emigrantët kanë protestuar duke dëmtuar mobiliet dhe infrastrukturën e qendrës dhe duke shkaktuar kaos. Incidenti erdhi vetëm një javë nga mbërritja e emigrantëve të parë të dëbuar nga Itali në kampin e Gjadrit.
40 emigrantët me urdhra dëbimi nga Italia mbërritën më 8 prill me pranga në kampin e Gjadrit. Bëhet fjalë për refugjatë, të cilëve u është refuzuar azili në Itali. Mes tyre ka persona të akuzuar ose të dënuar për krime; vrasje të mbetur në tentativë, dhunë seksuale, lëndime të rënda, pornografi me fëmijë, vjedhje, grabitje, nxitje të miturve dhe posedim të lëndëve narkotike. Afati maksimal i qëndrimit të tyre në kampin e Gjadrit, do jetë 18 muaj, derisa vendet e tyre të origjinës të pranojnë kthimin./ZËRI