
TIRANË- Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë u mblodhën sot në orën 09:30 për të shqyrtuar ndryshimin e praktikës mbi masën e arrestit në burg, kur ajo vendoset mbi bazën e rrezikshmërisë së veprës.
Pak para nisjes, prokurori Arqile Koça kërkoi që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura, duke argumentuar se i pandehuri është nën hetim. Avokati Luan Hasnëziri pranoi pjesërisht këtë kërkesë, duke theksuar se, megjithëse çështja ka interes publik, diskutimi konkret mund të bëhet pa praninë e mediave.
Diskutime brenda sallës:
Prokurori Arqile Koça: Çështja e sotme mbart me vete që lidhen me dy pikat kryesore, së pari me njësimin e praktikës dhe po ashtu edhe çështjen konkrete, ne kërkojmë që seanca të jete me dyer të mbyllura, për shkak të problematikave që ka çështja. Për sa i përket njësimit të praktikës të jetë e hapur aq sa mund te lejohet, por për çështjen të mos jene të pranishëm mediat.
Avokati Luan Hasneziri: Jam dakord me prokurorin, që për çështjen konkrete të zhvillohet diskutimi me dyer të mbyllura.
Pas konsultimit, Kolegji vendosi që seanca do jetë e hapur për debatin juridik, ndërsa për pjesën e diskutimeve që lidhen me hetimet paraprake do të zhvillohet me dyer të mbyllura. Në përfundim të seancës, Kolegjet e Bashkuara janë tërhequr për të marrë vendimin, i cili pritet të ketë ndikim në mënyrën se si do të interpretohen dhe zbatohen masat e sigurisë në vijim.