VAU I DEJËS-Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur më 30 gushtit, ku Sokol Preka, 40 vjeç, dhe David Deda, 46 vjeç humbën jetën pasi i zuri korrenti, banorët e Vaut të Dejës kanë dalë në protestë. Protestuesit pretendojnë se ambulanca mbërriti rreth një orë e 30 minuta pas njoftimit, vonesë që, sipas tyre, ndikoi në humbjen e jetës së dy viktimave.
Banorët kërkojnë që qendra shëndetësore e Vaut të Dejës të kthehet në një urgjencë funksionale, me mjekë 24 orë, ambulancë të përhershme dhe shërbime të plota për banorët. Në protestë ishte edhe motra e Sokol Prekës. E përlotur, ajo kërkoi drejtësi për vëllain e saj dhe ngriti akuza për mungesën e reagimit në kohë të strukturave shëndetësore.
“Sot vdiqën dy djem, ishin si dy vëllezër. Dolën të pinin kafe dhe u kthyen të vdekur. Spitali i Vaut të Dejës nuk ekziston. Nuk kanë sjellë helikopter, asgjë. Kërkoj drejtësi për vëllain tim. Sot ikën ata të dy, nesër janë vëllezërit dhe motrat e dikujt tjetër. Do të çohemi në këmbë, duam që vëllezër dhe motra të tjera të mos vdesin. Ky është halli më i madh. Qendra shëndetësore e Vaut të Dejës duhet të ngrihet edhe një herë në këmbë. Duam drejtësi për djemtë që vdiqën atje. Shkuan për një kafe dhe nuk na u kthyen më”, tha motra e Sokol Prekës.
"Kjo protestë është në shenjë humbje e dy djemve të rinj të Vau Dejës, nga fatkeqësia e madhe që ndodhi, nga mungesa e shtetit, mungesa e ambulancave, infermierëve, doktorëve e të gjithëve. Kjo qendër shëndetësore është kthyer, domethënë e hoqën të gjitha, është kthyer në një qendër nuk kemi as urgjencë, nuk kemi as ambulancë. Ka 3 muaj që s'ka ambulancë hiç ky qytet. Jemi 50 mijë banorë, 50 e sa mijë banorë, e s'kemi një ambulancë.
S'kemi një urgjencë, s'kemi një shërbim doktorësh, nuk kemi doktorë hiç. Bëjnë shërbim doktorët vetëm paraditeve edhe s'ka doktorë hiç. Kjo është mungesa e shtetit, mungesa e institucioneve, e drejtorisë Shkodër e të gjitha të tana. Në mungesë të ambulancës, 1 orë e gjysmë ka bërë ambulanca me ardhë prej Shkodre, me njoftu Shkodra me ardhë ambulanca me shku në vendngjarje.
Edhe prej mungesës së ambulancës kanë vdekë edhe çunat e rinj e të tana. Njëri i thotë Shkodrës, tjetri Shkodrës, kjo është mungesa e madhe e shtetit. Ne kërkojmë qendra shëndetësore e Vau Dejës të bëhet urgjencë. Të ketë shërbim 24 orë doktorët. Të ketë shërbime të tjera shtesë, ambulanca, urgjenca, dihet se çfarë shërbimesh ka, se ka mjekët e vet. Ne kërkojmë prej shtetit, prej institucioneve, prej të gjithëve, kërkojmë që kjo të bëhet qendër shëndetësore urgjencë.
Ne banorët e Vau Dejës vijmë këtu, janë vetëm infermierët. Mjek nuk ka. Vetëm infermieret çfarë i bëjnë shërbim këtu. Mjek nuk ka, mjeku është vetëm paradite. Mjek s'ka, se ka pasur mjek roje të natës, ka nja një muaj e gjysmë a dy që i kanë heq. Kanë bërë mjek rojet, i kanë heq, janë shfuqizu krejt kjo gjë këtu. Ne jemi veç me infermierë. Infermierja çfarë mund të ndihmojë, çfarë mund të bëjë. Kjo është e keqja jonë,"-u shpreh një nga banorët.
