TIRANË- Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për dy vëllezërit Kristi dhe Aleksander Bushgjokaj, të dyshuar për rrëmbimin dhe vrasjen e 22 vjeçarit Renis Dobra, në Burrel.
Ndërkohë, dy personat e tjerë të përfshirë në hetim, Petrit Çakërri dhe Fatjon Bushgjokaj nuk dolën sot para gjykatës. Avokati ka pretenduar se kanë kaluar afatet ligjore nga shpallja e mos kompetencës dhe dorëzimi i dosjes në gjykatën Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj, së bashku me vëllain tjetër Fatjon Bushgjokaj, si edhe Petrit Çakrrin, akuzohen se kanë rrëmbyer dhe mbytur me litar Renis Dobrën.
Renis Dobra, 23 vjeç, u vra mbrëmjen e 8 Korrikut 2025 në fshatin Madhesh të Matit. Ai ishte mbytur me litar nga autorët dhe më pas trupi i tij ishte futur brenda makinës. Autorët tentuan ta hidhnin makinën në Liqenin e Ulzës, por trupi mbeti buzë liqenit në rrethana ende të paqarta. Motivi i vrasjes së 23-vjeçarit në Mat dyshohet të ketë qenë konflikti për drogën në Gjermani.
Si ndodhi vrasja
Për të kryer vrasjen, tre vëllezërit Bushgjokaj dhe Çakrri kishin marrë disa makina me qira, në Rinas dhe Yzberisht, të ndryshme çdo ditë për të paktën 72 orë me radhë kur kanë survejuar lëvizjet e Dobrës. Natën e rrëmbimit u përdor një automjet i zi Range Rover dhe një tjetër i bardhë. Në pamjet e siguruara nga Policia dallohen autorët që lëvizin në drejtim të fshatit Zenisht, ku kanë ndjekur të riun, dhe më pas në kthim, e kanë marrë peng./ZËRI