TIRANË-Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj 4 të dyshuarve si autorë të rrëmbimit dhe vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra. Gjykata e Posaçme ka vlerësuar se nuk ka asnjë shkak ligjor për shfuqizimin ose zëvendësimin e masës për Petrit Çakrajn si autori kryesor i krimit të rëndë dhe vëllezërit Aleksandër, Kristi e Fatjon Bushgjokaj, të dyshuar si bashkëpunëtorë dhe ekzekutorë të urdhrit.
Renis Dobra, 23 vjeç, u vra mbrëmjen e 8 Korrikut 2025 në fshatin Madhesh të Matit. Ai ishte mbytur me litar nga autorët dhe më pas trupi i tij ishte futur brenda makinës. Autorët tentuan ta hidhnin makinën në Liqenin e Ulzës, por trupi mbeti buzë liqenit. Motivi i vrasjes së 23-vjeçarit në Mat dyshohet të ketë qenë konflikti për drogën në Gjermani.
Për të kryer vrasjen, tre vëllezërit Bushgjokaj dhe Çakrri kishin marrë disa makina me qira, në Rinas dhe Yzberisht, të ndryshme çdo ditë për të paktën 72 orë me radhë kur kanë survejuar lëvizjet e Dobrës. Natën e rrëmbimit u përdor një automjet i zi Range Rover dhe një tjetër i bardhë. Në pamjet e siguruara nga Policia dallohen autorët që lëvizin në drejtim të fshatit Zenisht, ku kanë ndjekur të riun, dhe më pas në kthim, e kanë marrë peng./ZËRI