Çfarë ndodhi në aksionin e Oroshit? U rrethua në banesë më Julian Cumrakun, Hamza Uka u vetëdorëzua i plagosur...
PUKË- Juljan Cumraku dhe Hamza Uka i kanë dhënë fund rezistencës dhe janë dorëzuar pas disa orësh të rrethuar nga policia. Burime bëjnë me dije se Uka, një ish-punonjës ushtarak, prej kohësh në vëzhgim nga Antiterrori, ka dalë i plagosur nga banesa. Mirëpo, situata e plagosjes mbetet e paqartë dhe nuk dihet në çfarë rrethanash ka ndodhur, pasi mësohet se policia nuk ka qëlluar me armë në drejt të asnjërit prej tyre.
Të dy personat janë të njohur për autoritetet, pasi më parë ishin skeduar nga Anti-terrori për veprime radikale dhe për rrezik të lartë shoqëror. Julian Cumraku me origjinë nga fshati Orosh, dyshohet të ketë lidhje me grupe ekstremiste. Ai është nipi i Mëhill Cumraku (Jaku), pronari i banesës ku qëndronte prej orësh se bashku me Ukën. Arben Uka, i njohur si Hamza Uka, ka qenë edhe Komando në Ushtrinë në Irak.
Dyshohet se të dy ata po qëndronin në bansën e braktisur në Orosh prej gati një muaji. Banesa është rrethuar që prej orëve të para të ditës së sotme nga policia e Pukës, ku më pas kanë ardhur në ndihmë edhe forcat RENEA. Prej disa orësh, efektivët kanë vijuar me negociatat, ndërsa vazhdimisht bënin thirrje me megafon që të dilnin nga banesa. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për t’u dorëzuar, ata kundërshtuan për orë të tëra duke u mbyllur brenda banesës dhe duke vështirësuar çdo ndërhyrje për shkak se dyshohej se ishin të armatosur rëndë.
Fillimisht policia solli në vendngjarje edhe vëllain e Juljan Cumrakut, më pas sollën edhe motrën e Ukës. Kanë qenë familjarët e tyre ata të cilët i kanë bindur që të dalin nga banesa dhe t'i dorëzohen policisë. Operacioni antiterror, i cili ka vijuar për orë të tëra me pjesëmarrjen e forcave të specializuara, mbetet ende aktiv, ndërsa policia po vijon procedurat përkatëse për dy të arrestuarit.Policia po siguron perimetrin dhe po verifikon çdo rrezik të mundshëm në zonë, përpara se të shpallet përfundimi i plotë i operacionit./ZËRI
Merr fund operacioni antiterror në Pukë! Pas 6 orësh, dorëzohen dy të armatosurit (DETAJE)
PUKË- Julian Cumraku dhe Arben Uka, i njohur edhe me emrin Hamza, janë vetëdorëzuar pas disa negociatash. Për rreth 6 orë, policia e Pukës në bashkëpunim me forcat e RENEA-s vijoi operacionin antiterror, duke rrethuar një banesë, ku dy persona qëndronin të armatosur në banesë. Fillimisht policia negocioi me vëllain e njërit prej tyre, ndërsa më pas edhe me motrën e tjetrit, duke arritur t'i bindin që të dalin paqësisht nga objekti ku ishin strehuar.
Arben Uka dhe Julian Cumraku mendohet se kanë qenë më parë në Siri dhe i përkasin organizatave terroriste. Arben Uka i njohur edhe si Hamza Uka, sipas informacionëve, ka qenë ish-punonjës ushtarak, prej kohësh në vëzhgim nga Antiterrori.
Raportohet se policia po siguron perimetrin dhe po verifikon çdo rrezik të mundshëm në zonë, përpara se të shpallet përfundimi i plotë i operacionit. Ndërsa, forcat RENEA do të kontrollojnë ambientin me qen për armë dhe eksplozivë që mund të jenë fshehur nga dy personat./ZËRI
EMRI/ Identifikohet edhe personi i dytë në Orosh, i ndjekur nga Antiterrori! Policia dërgon për negociata vëllain e 24-vjeçarit
PUKË- Arben Uka është personi tjetër që ndodhet në banesën e rrethuar që prej mëngjesit të sotëm në fshatin Orosh, Pukë. Bëhet me dije se Uka ka qenë më parë në ndjekje nga antiterrori. Ai ndodhet së bashku me 24-vjeçari Julian Cumraku, të cilët dyshohet se ndodhet të ngujuar në atë banesë prej gati 1 muaji. Sipas informacioneve paraprake, të dy personat kanë qenë më parë në Siri, ndërsa njëri prej tyre është dëgjuar të thërrasë ‘Allahu Ekber’.
Operacioni i policisë dhe RENEA-s po vijon prej 5 orësh, teksa mësohet se efektivët kanë shoqëruar drejt banesës ku janë të ngujuar dy personat vëllain e 24-vjeçarit Julian Çumrakut, me qëllim negocimin. Burime bëjnë me dije se në fshatin Orosh ka mbërritur edhe një tjetër skuadër e specializuar e Reneas. Mësohet se efektivët vazhdimisht u kanë bërë thirrje që të vetëdorëzohen, por të armatosurit i kanë kërcënuar se do të hapin zjarr./ZËRI
"Allahu Ekber"! Identifikohet një nga personat e armatosur në Orosh, 24-vjeçari kërcënon policinë (EMRI)
PUKË- Julian Cumraku 24-vjeç, është një nga personat e armatosur që gjendet brenda banesës së rrethuar nga policia në fshatin Orosh të Fushë Arrëzit. Ky i fundit ka kërcënuar policinë se do të qëllojë mbi ta, ndërsa efektivët vazhdimisht u kanë bërë thirrje që të vetëdorëzohen. Ndërsa burime bëjnë me dije se njëri prej personave të armatosur, është dëgjuar të thërrasë ‘Allahu Ekber’.
Siç u bë me dije edhe më herët, 24-vjeçari ndodhet në banesë bashkë me një person tjetër në banesën që është në pronësi të Mëhill Jakut, ndërsa Julian Cumraku është nipi i këtij të fundit. Të dy këta persona dyshohet se qëndrojnë të fshehur në këtë banesë që prej 1 muaji.
Aksioni në fshatin Orosh ka nisur që prej mëngjesit të sotëm, ku forcat e policisë dhe RENEA-s rrethuan një banesë të braktisur. Policia e Pukës ka kërkuar edhe mbështetjen e forcave speciale RENEA, pas njoftimit se në banesë ndodhen 2 persona të armatosur dhe me rrezikshmëri të lartë./ZËRI
RENEA "zbarkon" në Pukë, dy persona të armatosur refuzojnë të vetëdorëzohen, njëri prej tyre nipi i pronarit të banesës (EMRI)
PUKË- Një aksion i befasishëm është ndërmarrë këtë të hënë në Pukë, ku forca të shumta policia kanë rrethuar një banesë në fshatin Orosh, Fushë Arrëz, që prej orëve të para të mëngjesit. Burime bëjnë me dije se bëhet fjalë për një banesë brenda së cilës janë strehuar 2 persona me rrezikshmëri të lartë, të cilët dyshohet se janë strehuar aty prej rreth një muaji. Sipas burimeve, banesa në fjalë është në pronësi të Mëhill Jakut, ndërsa mësohet se njëri prej personave që ndodhet brenda është nipi i tij.
Forca të shumta të RENEA-s janë nisur në ndihmë të polcisë së Pukës për shkakt të rrezikshmërisë së lartë, teksa deri më tani nuk janë bërë me dije identitetet e personave. Policia ka bërë disa herë thirrje për vetëdorëzim, por nuk kanë pasur asnjë reagim pozitiv nga objektivat. Në vendngjarje janë nisur edhe forcat nga anti terrori nga Shkodra, ndërsa pritet që Policia të dalë më një njoftim zyrtar për ngjarjen./ZËRI