Braçe me lekë në duar në Kuvend! Shpjegon bonusin për pensionistët: Check-up, hemodializa dhe sterilizimi të jenë publike
TIRANË-Deputeti socialist Erion Braçe është shfaqur me një zarf me kartëmonedha në foltoren e Kuvendit ku shpjegoi për deputetët e opozitës se sa do të jetë rritja e pensioneve. Braçe tha se gjatë gjithë viteve si deputet, qoftë në opozitë apo dhe në mazhorancë, për herë të parë po flitet për rritje pensioni me mijë lekë, jo më me qindarka.
“Ju më keni dëgjuar mua herë në opozitë e herë në mazhorancë, por për herë të parë unë po flas për rritje pensionesh me mijë lekë, jo më me qindarka. Rritja e pensionit vitin e parë do të jetë 1800 lekë, për herë të parë është po ashtu e pasqyruar se si do të jetë rritja për të gjithë mandatin. Vitin e parë pensioni i plotë i pleqërisë rritet me 1800 lekë. Vitin e dytë pensioni i plotë i pleqërisë do të rritet me 3600 lekë, vitin e tretë rritet me 5400 lekë, dhe vitin e katërt rritet me 7200 lekë dhe janë këto”, u shpreh Braçe.
Braçe gjithashtu kërkoi që tre koncesionet në shëndetësi: check-up, hemodializa dhe sterilizimi – të kthehen në shërbime publike, ndërkohë që buxheti i vitit 2026 parashikon ulje të financimeve për këto kontrata: check-up me 699.8 milionë lekë, sterilizimi me 500 milionë lekë dhe dializa me 815 milionë lekë./ZËRI
Balluku në Kuvend: Jam në një sulm personal, nuk ka nisur sot, as atë ditë në SPAK
TIRANË-Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku gjatë fjalës së saj në Kuvend ka preferuar mos komentojë hetimin e SPAK të nisur ndaj saj, por akuzat i ka cilësuar baltë dhe aludime kundër saj. Balluku iu kundërpërgjigj akuzave të opozitës, ndërsa tha se ky është një sulm personal ndaj saj.
Belinda Balluku: Personalisht e kam shumë të qartë, pse jam në një sulm personal që nuk më ka nisur as sot, as ditën që shkova në SPAK, por ka kohë që më ka nisur. Ju nuk e falni as suksesin politik dhe as njeriun që punon, madje nuk falni as ata që dallojnë brenda radhëve tuaj. Ju përmes sulmeve personale mbuloni dështimin tuaj. Dëgjova këtu një thirrje pak më parë, dikush u ngrit dhe that ë mos therremi me familjarët, kur e vendosët këtë akt etik, na njoftoni dhe ne sepse ju nuk merreni thjesht me familjarët por keni ngritur të vdekurit nga varri dhe i keni sjellë nëpër foltore dhe parlamente.
Zv.kryeministrja Belinda Balluku u paraqit më 31 tetor në SPAK, ku iu komunikua akuza për shkeljen e barazisë në tenderat publikë, në lidhje me procedurën e ndjekur për shpalljen e kompanisë fituese në tunelin e Llogarasë. SPAK njoftoi se ministrja është marrë në hetim për njërën prej procedurave të prokurorimit për Tunelin e Llogarasë, konkretisht për aksin Orikum-Himarë, pjesë e autostradës (Vlorë-Sarandë), ku janë evidentuar shkelje në zhvillimin e procedurës së tenderimit për këtë aks. Sipas SPAK, bëhet fjalë për procedurën e zhvilluar më 11 dhjetor 2020, e cila më pas u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, me një fond limit prej 190 mln euro pa TVSH, një nga më të kushtueshmit sot në vend./ZËRI
Tensione në Kuvend! "Nuk bëhesh politikan me selfie"/ Balluku -Shehajt: Do ngelesh një pronar i vogël call center
TIRANË- Kryetari u Kuvendit, Niko Peleshi përjashtoi nga salla e parlamentit deputetin Agron Shehaj, pasi tensioneve të shkaktuara në sallë gjatë fjalës së zv.kryeministrja Belinda Balluku. Gjatë fjalës së saj, deputeti Agron Shehaj ndërhynte me akuza, ndërsa në dorë mbante një pankartë me mbishkrimin ‘Balluku në SPAK’. Shehaj mori vazhdimisht paralajmërime nga kryetari i Kuvendit Peleshi, i cili fillimisht i hoqi të drejtën e fjalës, më pas e përjashtoi nga Kuvendi. Kjo e ka bërë zv. kryeministren të dalë nga kontrolli dhe të shpërthejë ndaj kreut të Partisë Mundësia.
Në replikë, Balluku i është përgjigjur se ai do të mbetet gjithmonë një pronar call center-ash që nuk paguan dot as sigurimet shoqërore.
“O Agron nuk e bën dot politikën me selfie, duhet të dalësh në shesh të burrave e të përballesh. Kaq do ngelesh do jesh një pronar i vogël call center që nuk paguan sigurime shoqërore, që i mban ato djem e vajza me pagë minimale. Nuk bëhesh politikan me Facebook Agron, nuk jemi në call center këtu”, tha Balluku.
Sakaq, me ndërhyrjen e Ballës, u kërkua disa minua pushim, në mënyrë që të vendosej qetësia në sallë./ZËRI
"Çështja e Llogarasë, s'kam asnjë koment", Balluku merr fjalën në Kuvend, opozita braktis seancën
TIRANË- Zv.kryeministrja Belinda Balluku i është bashkuar seancës së sotme plenare për herë të parë që pasi u mor e pandehur nga SPAK. Ndërkohë, sapo Balluku mori fjalën në Kuvend, deputetët e opozitës në shenjë proteste, braktisën sallën. Opozitarët refuzuan që të dëgjonin Ballukun të flasë për projektbuxhetin dhe menjëherë u larguan nga salla e Kuvendit. Në sallën e parlamentit qëndruan Ana Dajko, Mesila Doda, Erald Kapri, ndërsa Agron Shehaj është përjashtuar nga Kuvendi.
Në nisje të fjalimit të saj, Balluku komentoi akuzat e shumta ndaj çështjes së tunelit të Llogarasë, ku SPAK e thërriti si person në dijeni për garën e tenderave. Balluku tha se reforma në drejtësi është produkt i PS dhe se e mbështet atë edhe kur preket personalisht. Balluku tha se nuk ka asnjë koment për çështjen në hetim dhe se nuk do të prononcohet derisa e vërteta të dalë.
”Më duhet të them disa fjalë jo për baltën dhe aludimet, por për detyrimin që kam ndaj kujtdo që beson te puna. Nuk do dëgjoni nga unë akuza për drejtësinë e re dhe kur prekem personalisht. Besoj thellësisht që kjo drejtësi e re produkt i PS dhe Ramës, dhe është duke kryer misionin nga i cili u reformua me pikat e dobëta dhe të forta. Nuk do më dëgjoni të merrem me prokurorë dhe gjyqtar, nuk do prononcohem për çështjen pasi kanë rrugën e tyre dhe do e ndjek derisa e vërteta të marr formën e vet. Ne mbështesim reformën edhe kur prekemi personalisht. PS është një formacion politik serioz i vetmi në republikë ku fjala e secilit degjohet dhe ka peshë. Ndaj në respekt të misionit të saj nuk kam asnjë koment.”, tha Balluku.
Nga "paqja fiksale" në rritjen e pagave, Rama prezanton projektbuxhetin 2026 në Kuvend
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka sqaruar sot në Kuvend ‘paqen fiskale’, ku diskutohet projektbuxheti 2026. "paqja fiskale", e cila përfshin fshirje të detyrimeve të papaguara që bizneset mund t’i kenë shtetit, për të cilën Rama tha se falja e detyrimeve do të bëhet në 4 forma. Kryeministri theksoi se “Paqja Fiskale” ka për qëllim që t’u japë mundësinë sipërmarrjeve të mbyllin çështjet e vjetra dhe kjo.
“Falja e detyrimeve tatimore me 4 forma, fshirje e plotë e detyrimeve të papaguara më të vjetra se 10 vite, fshirje 50% nga 5 deri në 10 vite. Nëse pjesa e mbetur paguhet menjëherë, me fshirje totale të gjobave dhe të interesave, fshirje 25% e detyrimeve e periudhës 5-10 vite… Dhe fshirje e gjobave e kamatëvonesave për periudhën 1-5 vite me kusht që të paguhet i plotë tatimi dhe kontributi i asaj periudhë. Bizneset jo vetëm do të kenë mundësi të lehtësohen nga kjo barrë e vjetër, por do të kenë edhe mundësinë të deklarojnë pasqyrimet e mëparshme financiare. Për diferencën e korrigjuar vullnetarisht mes deklarimit të vjetër dhe atij të riu, tatimi mbi fitimin do të jetë vetëm 5%.”, tha ai.
Kreu i qeverisë foli gjithashtu për rritjen e pagave, duke treguar edhe kategoritë që do të përfitojnë rritje të pagave duke nisur nga viti i ardhshëm. Ai tha se rritje të pagave, sipas kategorive, do të prekin mësuesit, administratën, policët, mjekët dhe infermierët.
“Paga mesatare është 850 euro. Për herë të parë do të fusim indeksimin e pagës çdo dy vjet në administratë, që të mbështesim rritjen e standardeve të jetesës. Për të mbështetur punonjësit me paga të ulëta. Kështu, si më poshtë 10 mijë e 500 punonjës shërbimi, do të përfitojnë rritje të pagave me 10 mijë lekë, specialistët 5 mijë lekë, mësuesit 3 mijë leke dhe për mjekët do të nisë vjetërsia në punë. Pagën e infermierëve do ta çojnë në 92.500 lekë. Përveç indeksimit, do të rrisim pagat për punonjësit e policisë për 5 mijë lekë, po ashtu dhe për komisarët dhe nënkomisarët. Flitet për taksa dhe barrë fiskale, por dua të shtoj se te biznesi i madh ne jemi vendi që ata që fitojnë më shumë i takson më shumë.”, tha Rama./ZËRI
Rama mbyll fjalimin në Kuvend: Me faqe për muri ju pafsha, vetëm me shëndet aman se më duheni gjallë
TIRANË- Kryeministri Edi Rama e mbajti fjalimin e tij sot në Kuvend, me pamje nga shpina e deputetëve demokratë, të cilët në formë proteste patën këtë qëndrim ndaj tij. Mirëpo për Ramën kjo ishte një pamje frymëzuese, ndërsa nuk munguan as batutat.
Rama: Ka patur shumë lloj fjalësh në rrjete sociale dhe në tribunat e propagandës kundër gjithë këtyre masave, është thënë që po do të rriten pensionet, pagat, por edhe kontributet.
E vërteta është që normat e kontributive janë më të ulëtat në rajon, por ne nuk do të bëjmë asnjë rritje të kontributeve në këtë fazë, gjithçka që do të rrisim në buxhetin familjar për pensionistët, punonjësit e administratës është vetëm rezultat i rritjes së ekonomisë.
Do doja të vazhdoja gjatë me këtë pamje ekskluzive, jo më pëlqen, por më frymëzon shumë. Kështu me faqen për muri ju pafsha (u thotë demokratëve), gjithmonë vetëm me shëndet aman, se na duheni gjallë!
“Keni mbetur kashtë e k*qe”, Rama opozitës: 50 milionëshi i tunelit të Llogarasë si 450 mln eurot e inceneratorëve
TIRANË- Kryeministri Edi Rama është duke prezantuar sot në Kuvend Buxhetin e vitit të ardhshëm, ku nuk munguan batutat dhe replikat me deputetët e opozitës. Rama foli sot për herë të parë në lidhje me akuzat e opozitës për vjedhjen e 50 milionë eurove në tunelin e Llogarasë. Rama tha se kjo shifër është si 450 milionë eurot e inceneratorëve, shifër që nuk figuron në asnjë dokument zyrtar.
“Dëgjova që me 450 milionë eurot e inceneratorëve mund të bëhej një rritje agresive e pensioneve. Ky 450 milionë euroshi është aritmetika e atij që mua më mungon shumë (i referohet Lulzim Bashës), por që e kujtoj përmes jush 7×7=52. Ky konstatim nuk figuron asgjëkundi në asnjë nga fashikujt e një çështje të hetuar prej vitesh, ku as 45 milionë euro nuk duken asgjëkund. Tuneli i llogarasë, 50 milionëshi është si 450 milionëshi i inceneratorëve”, tha Rama.
Sipas tij “Sot pikërisht pse drejtësia është e pavarur, shqiptarët i referohen drejtësisë dhe nuk i referohen atyre që duan të bëjnë prokurorin rrugëve dhe që pastaj kur dalin në rrugë mbeten kashtë e k*qe, siç më thanë që kishit mbetur para dy netësh”.
“E fundit që kam është kënga e mjerueshme e fondeve të Bujqësisë. OLAF i cili bën hetime për llogari të KE-së, për 2019-2023 nuk ka gjetur shkelje të të njëjtës natyrë siç ka gjetur në Shqipëri, vetëm në Luksemburg, Maltë, Qipro, Holandë. Shuma e vendosur nga OLAF për vendet e tjera të BE-së, nga Italia te Bullgaria, Rumania, është 1 miliardë euro që në konsideratën e kësaj zyre janë të keqadministruara. Duhet të mësohemi edhe me këtë aspekt”.
Deputetët e opozitës i kthejnë shpinën sapo merr fjalën, Rama: Më mirë kurrizin se fytyrën, Noka ka monopolin e…
TIRANË- Deputetët e opozitës i kanë kthyer shpinën kryeministrit Edi Rama, menjëherë sapo ai ka marrë fjalën për të prezantuar buxhetin e vitit të ardhshëm.
Edi Rama: Po edhe të ankoheni për ligjin dhe të më ktheni mua kurrizin, sikur nuk shkon mor burrë, por faleminderit për këtë lehtësim që i bëni fjalimit tim, pasi më mirë kurrizin sesa fytyrën tuaj. Zoti Noka e ka besnikërinë ndaj kryetarit të Partisë monopol. Madje unë dua ta quaj Besnik Flamur Noka, Niko është shumë larg teje, në historinë e botës je rrotë më rrotë me Lei Fenin.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal dhe te vizita e tij në Bruksel, duke cituar përfaqësuesit e BE-së se “si sot, nuk është luftuar asnjëherë korrupsioni”. Deklaratë që u pasua me të qeshura nga ana e deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët pak minuta më parë kërkuan llogari për shpalljen e Belinda Ballukut, të pandehur nga ana e Prokurorisë së Posaçme.
Noka "mbron" Berishën në Kuvend, përplaset me Peleshin: Je ushtar, vetëm kryetar nuk je!
TIRANË- Deputeti i PD-së, Flamur Noka, ka reaguar ashpër gjatë seancës në Kuvend për përjashtimin e kryedemokratit Sali Berisha. Noka thekson se deklarata e Berishës për ambasadorin Silvio Gonzato është bërë jashtë sallës së Kuvendit dhe nuk kishte kontekst fyes. Ndërkohë, nuk mungoi as përplasja mes tij dhe kryeparlamentarit Peleshi. Këtij të fundit, Noka iu drejtua duke i thënë se nuk është kryetar, por një ushtar i Partisë.
Noka: Vetëm kryetar nuk jeni, por ushtar i partisë.
Peleshi: z.Noka tërheqje vëmendje
Noka: Seancën e kaluar, ju përjashtuar kreun e opozitës për një deklaratë që u mbajt kësaj salle dhe nuk kishte asnjë kontekst fyes apo ofendues për askënd. Deklaratë që citonte thënien e një ambasadori. E gjitha ajo që bëtë ndaj Berishës është urrejtje ndaj së vërtetës. Mashkullit paradite i thoni mashkull, pasdite femër. Transeksuali do të favorizohet dhe ai që do qëndrojë siç e ka bërë zoti, do diskriminohet sipas ligjit tuaj. Ju vendosët të shkatërronit familjen me atë ligj, që të shkatërroni këtë shoqëri. Do ikësh me turp si kolegët e tu
Peleshi: Faleminderit për këshillën
PS rrëzon kërkesën e PD për mocion me debat për minimumin jetik
TIRANË- Partia Socialiste ka rrëzuar kërkesën e PD për mocion me debat për minimumin jetik në seancën e kësaj të mërkure. Mazhoranca votoi kundër mocionit, duke refuzuar kërkesat e opozitës për shqyrtim dhe diskutim të thelluar të politikave sociale në këtë fushë.
Opozita kishte kërkuar debat për të adresuar nevojat e qytetarëve më të prekur dhe për të nxitur masa konkrete për rritjen e standardit të jetesës. Kjo nuk është hera e parë që PS rrëzon kërkesat e opozitës, pasi që në mesin e muajit shtator, kur ka nisur parlamenti, mazhoranca ka rrëzuar pesë mocione me debat, tre kërkesa për komision hetimor dhe dy kërkesa për interpelancë me kryeministrin./ZËRI
‘Ti japim një duartrokitje të pandehurës…’, Balluku për herë të parë në Kuvend pas hetimeve të SPAK, Peleshi i tërheq vëmendjen Bardhit
TIRANË- Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është e pranishme sot në sallën e Kuvendit, për herë të parë pas marrjes së saj e pandehur nga Prokuroria e Posaçme. Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi iu kërkoi kolegëve socialistë që t’i jepnin një duartroktike, ministres Balluku, e cila është marrë e pandehur për tunelin e Llogarasë. Por menjëherë pas kësaj ndërhyu kreu i Kuvendit Niko Peleshi, i cili i tërhoqi vëmendjen Bardhit, se po dilte jashtë rendit të ditës, për të cilin kishte marrë fjalën.
DEBATI
Gazment Bardhi: Ftoj kolegët e PS-së, mqs e kanë kthyer në traditë duartrokitjen, që përpara se të fillojnë punimet e Kuvendit, ti japim një duartrokitje të pandehurës nga SPAK për abuzim me 50 mln euro në tenderin e Llogarasë
Niko Peleshi: Ju jap masën tërheqje vëmendje. Ju nuk e keni fjalë për të personalizuar goditje dhe për të cilësuar kolegët, fjalën e keni për të folur për projekt kalendarin dhe programin.
Gazment Bardhi: E kuptoj që është fjalë turpi për ata që kanë turp statusin e pandehur. Por është brenda etikës. Është status ligjor, nuk fyeva njeri, është status ligjor i saj. Nuk po them çfarë i thotë ajo Edi Ramës se ajo mund të jetë fyerje edhe shkelje e etikës. Nuk e përdora e kanë në raport me njëri-tjetrin.
Kuvendi sot seancë maratonë, shqyrtohet në parim projektbuxheti i vitit 2026 dhe paketa fiskale
TIRANË- Kuvendi do të nisë sot në orën, 10:00 një seancë parlamentare dyditore. Të mërkurën dhe të enjten, Kuvendi do të miratojë në parim projekbuxhetin dhe paketën fiskale për vitin 2026.
"Paqja Fiskale", falja e detyrimeve të prapambetura për qindra biznese, është kundërshtuar nga opozita me argumentimin se ka mbërritur vonë në Kuvend dhe nuk ka qenë e kohë e mjaftueshme për një shqyrtim të thelluar. Demokratët kërkuan në konferencën e kryetarëve që t’u jepet kohë për t’u njohur me paketën fiskale, e cila është futur për diskutim në komisione vetëm 24 orë përpara seancës plenare.
Projektbuxheti i vitit 2026, me një vlerë prej 8.8 miliardë eurosh, shoqërohet nga tetë projektligje, të cilat kaluan në komisione me procedurë të përshpejtuar. Tetë projektligjet do të diskutohen sot në parim nga deputetët.
Në rend dite janë:
Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë"”, të ndryshuar. (Shqyrtimi në parim)
Projektligji "Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë". (Shqyrtimi në parim)
Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 29, datë 30.3.2023, "Për tatimin mbi të ardhurat"”. (Shqyrtimi në parim)
Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, "Për sistemin e taksave vendore"", të ndryshuar. (Shqyrtimi në parim)
Projektligji "Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit"", të ndryshuar. (Shqyrtimi në parim)
Projektligji "Për marrëveshjen e paqes fiskale”. (Shqyrtimi në parim)
Projektligji "Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme". (Shqyrtimi në parim)
Projektligji "Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”. (Shqyrtimi në parim)
Projektligji "Për buxhetin e vitit 2026". (Shqyrtimi në parim)./ZËRI