
TIRANË- Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKI) po zhvillohet seanca e radhës në themel për ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-deputeten Monika Kryemadhin.
Në pamjet nga brenda sallës, siç shihet edhe në videon e mëposthme, Meta është ulur përsëri në kafazin e xhamit, pavarësisht kërkesave.
Në seancë u kërkua që transmetimi të ishte live, ndërsa gjyqtari i çështje Erion Bani refuzoi kërkesën e mediave dhe palëve në proces. Gjyqtari ka argumentuar se proceset gjyqësore nuk mund të shndërrohen në shoë mediatik dhe për rrjedhojë nuk do të lejohen kamerat.
"Prania e kamerës nuk parashikohet në legjislacion. Proceset gjyqësore nuk mund të shndërrohen në spektakle apo në shoë mediatik, por duhet të jetë i qetë dhe i garantuar.
Prania e kamerës ndikon në cilësinë e gjykimit dhe shqyrtimit gjyqësor. Rrëzohet kërkesa e transmetimit live. Lejimin e përfaqësuesve mediatikë. Ndalimi i çdo lloj regjistrimi. Ndërpritet regjistrimi.”, tha Bani.
Avokati Kujtim Cakrani deklaroi në sallën e gjyqit se do të dëshironte praninë e kamerave, duke e cilësuar këtë si një kërkesë publike.
“Javën e kaluar kam bërë kërkesë për kafazin e qelqtë. E kam adresuar edhe në ambasada në Shqipëri dhe institucione të tjera. Ju nuk e pranuat dhe mirë keni bërë, sepse GJKKO ka një praktikë që e përdor vetëm kur ka interes të saj. Ky është problem i gjykatës”, u shpreh ai.
Cakrani shtoi gjithashtu se një ditë më parë është bërë kërkesë nga KSHH dhe KLGJ, e mbështetur në konventa europiane, për heqjen e kafazit të qelqtë.
“Jashtë janë qindra qytetarë, familjarë dhe kolegë që presin. Edhe KSHH ka kërkuar heqjen e kafazit. Na jepni një përgjigje që të nisim procesin gjyqësor”, tha Cakrani.
Sa i përket qëndrimit në kafaz, vetë ish-presidenti Meta u shpreh se çështja nuk e shqetëson personalisht, por sipas tij është një problem parimor për të gjithë të pandehurit.
“Kërkesa ime e parë lidhej me funksionin që kam pasur, ndërsa kjo e dyta nuk lidhet me funksionin tim, por me çdo të pandehur që nuk paraqet rrezikshmëri”, u shpreh Meta.
Në përfundim, gjykata i ka refuzuar të dyja kërkesat për transmetimin live dhe daljen nga kafazi gjatë zhvillimit të seancës, ndërsa ka pranuar vetëm kërkesën për aksesimin e provave digjitale.
Ilir Meta ndodhet në burg prej 21 tetorit 2024. Ai akuzohet për tre vepra penale, për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion. Po të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi ish-deputeten dhe ish-bashkëshorten e Metës, Monika Kryemadhi. Ish-presidenti ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje.
Meta dhe Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.
Për dyshimet se kanë ndihmuar në pastrimin e parave, në gjyq është çuar edhe Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit dhe Ema Çoku. Ndërkohë, Pirro Xhixho përballet me akuzën për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Hetimi nisi në vitin 2019 pas dy kallëzimeve të mbërritura në SPAK./ZËRI