VLORË- Situata në Aeroportin e Vlorës mbetet e tensionuar që nga dje, ku përplasjet mes punonjësve të kompanisë ‘Mabco’, të pronarit Behgjet Pacolli, dhe ‘2A Group’, të Valon Ademit, kanë vijuar edhe mëngjesin e sotëm.
Për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës, forca të shumta policie janë vendosur në zonë, ndërsa raportohet se ka pasur përplasje edhe me efektivët. Këta të fundit, raportohet se kanë kërkuar nga punonjësit e kompanisë 'Mabco' vërtetim gjykate.
Në ditën e dytë të përplasjeve, kompania 'Mabco' drejtuar nga Behgjet Pacolli ka bërë një reagim zyrtar, duke e cilësuar një situatë të papranueshme.
Në reagim, kompania sqaron se vendimi i gjykatës që pretendon Valon Ademi se i jep të drejtë për të ndaluar hyrjen e punonjësve në kantier, i referohet pezullimit të së drejtës së votës të ‘Mabco’ në shoqëri, por jo ndalimit të punimeve.
"ASNJË vendim gjyqësor nuk ka ndaluar hyrjen fizike të Mabco-s në kantier", nënvizohet në reagimin e kompanisë.
Reagimi zyrtar i shqoërisë Mabco Constructions S.A.
Sot, për herë të dytë, në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës po përsëritet e njëjta situatë e papranueshme, plotësisht e paligjshme me VETËGJYQËSI të Valon Ademit.
Rreth 200 punonjës, inxhinierë dhe specialistë të shoqërisë Mabco Constructions S.A., ortakut mazhoritar me 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k. dhe investitorit kryesor që ka financuar dhe ndërtuar projektin me mbi 90 milionë euro investime direkte, po pengohen fizikisht të hyjnë në kantierin që ata vetë e kanë ngritur.
Nuk ekziston asnjë vendim gjyqësor që ndalon hyrjen e Mabco-s ose nënkontraktorëve të saj në aeroportin që ajo ka ndërtuar me investimet e veta. Vendimi gjyqësor i pretenduar dje nga Valin Ademi dhe i shperndare ne media është ai që pezullon përkohësisht të drejtën e votës së Mabco-s në shoqëri, vendim që aktualisht ndodhet në shqyrtim në Gjykatën e Lartë.
ASNJË vendim gjyqësor nuk ka ndaluar hyrjen fizike të Mabco-s në kantier.
Ky ndalim i njëanshëm dhe arbitrar është vetëgjyqësi e pastër kriminale nga ana e z. Valon Ademi dhe ortakut minoritar 2%, e kryer nëpërmjet administratorit të kontestuar Vegim Hoxha dhe Bujar Ejupi.
Mabco Constructions S.A. nuk ka qenë dhe nuk është në asnjë rast nënkontraktor i shoqërisë VIA, siç tregohet qartë dhe pa asnjë dyshim në nenin 10.7 pika (iv) të Kontratës së Koncesionit. Mabco është ortaku mazhoritar, investitori kryesor, financuesi real dhe subjekti që përmbush kriteret teknike, financiare dhe operacionale mbi të cilat është dhënë vetë koncesioni.
Është detyrë ligjore e autoriteteve qeveritare dhe e Autoritetit Kontraktues (Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë) të lejojnë dhe të garantojnë aksesin e lirë në hyrje dhe dalje të kantierit, sipas nenit 7.1 pika (b) dhe (c) të Kontratës së Koncesionit.
Mosveprimi i autoriteteve shtetërore ndaj këtij vendimi arbitrar të një ortaku me vetëm 2% të kuotave përbën qartazi mosplotësim të detyrimeve kontraktore nga ana e shtetit shqiptar.
Ekipi ynë ligjor ka njoftuar sërish dje Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për këtë situatë të rëndë dhe për dështimin e Policisë së Vlorës që, edhe sot, nuk po garanton rendin publik, sigurinë dhe mbrojtjen e pronës së investuar nga Mabco.
Ne presim nga autoritetet kompetente që të ndërhyjnë menjëherë për:
të ndalojnë këtë vetëgjyqësi kriminale;
të garantojnë aksesin e plotë dhe të papenguar të punonjësve, inxhinierëve dhe nënkontraktorëve tanë në kantier;
të mbajnë të paprekur terminalin dhe veprën e ndërtuar nga Mabco.
Mabco Constructions S.A. kërkon të besojë në sundimin e ligjit dhe në mbrojtjen e investimeve të huaja dhe jo në VETËGJYQËSI kriminale të Valon Ademit. Do të vazhdojmë të ushtrojmë të gjitha të drejtat tona ligjore, civile dhe penale, ndaj çdo personi ose subjekti që cenon investimin tonë dhe interesin kombëtar të projektit.
Ekipi Ligjor i Mabco Constructions S.A.
Dje, punonjësit e ‘2A Group’ nuk lejuan hyrjen e kantierit të 22 punonjësve të thirrur nga Pacolli, të cilët ishin planifikuar të kryenin punime brenda aeroportit. Në kundërshtim, këta të fundit bllokuan derën kryesore, duke penguar daljen e automjeteve të ‘2A Group’.
Pronari i kompanisë "2A" është Valon Ademi, aksioneri me 2% në aeroportin e Vlorës, i cili paralelisht ndodhet në një proces penal me biznesmenin Behgjet Pacolli.
Konflikti mes Pacollit dhe Ademit ka qenë prej muajsh në qendër të debatit publik dhe mediatik. Pacolli zotëronte 98% të aksioneve, ndërsa Ademi 2%, por ky i fundit pretendonte se kishte marrëveshje dhe investime që e çonin në kuotën 49%.
Por si nisi përplasja për këtë aeroport?
Plani për ndërtimin e aeroportit të ri të Vlorës, nisi në vitin 2021! Shqipëria filloi një projekt të ri madhështor: ndërtimin e një aeroporti të ri në Vlorë, në një sipërfaqe prej 297 hektarësh dhe me një vlerë të parashikuar investimi me104 milionë euro. Ky projekt do ti kushtojë taksapaguesve shqiptarë 138 milionë euro, përmes një marrëveshje koncesioni, ose afërsisht 40 për qind më shumë se sa kostoja e ndërtimit, në rast se koncesioni dështon apo nuk realizon fitime.
Tenderi u fitua nga tre kompani. Kontrata u nënshkrua më 20 prill 2021 nga kompanitë Mabco Constructions, me pronar Behgjet Pacollin, që zotëronte 58% të aksioneve; kompania turke YDA Group, e cila zotëronte 40% të aksioneve; dhe kompania 2A Shpk nga Kosova, me pronar Valon Ademin, i cili kishte 2% të aksioneve.
Por, po në mars të atij viti, shoqëria turke u tërhoq nga projekti. Si pasojë, kompania e Behgjet Pacollit mori në zotërim 98% të aksioneve të koncesionit të “Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës”, pasi bleu për 4,200 euro aksionet që zotëroheshin nga kompania turke.
Më 1 shtator të këtij viti, Behgjet Pacolli vendosi të shkarkojë administratorin e “Aeroportit të Vlorës”, Valon Lluka. Nga ky moment vijuan një sërë ngjarjesh të njëpasnjëshme! Aksioneri i minorancës në këtë koncesion, Valon Ademi, akuzoi publikisht Behgjet Pacollin për mashtrim.
Thelbi i konfliktit mes dy ortakëve ka qenë ndarja e aksioneve: Ademi zyrtarisht ka vetëm 2% të tyre, por pretendon 47%. Biznesmeni Ademi, në kallëzimin e depozituar në Prokurori në shtator 2025, ka pretenduar se përmes kompanisë së tij “2A Group” ka blerë 47% të aksioneve të aeroportit.
Kontrata e blerjes së aksioneve mësohet se është firmosur para noteres Valbona Selimi. Kjo kontratë është nënshkruar menjëherë pas largimit të grupit turk YDA nga koncesioni i aeroportit. Behgjet Pacolli mohoi çdo akuzë, duke ia lënë fajin ish-administratorit Valon Lluka. Pacolli pretendon se Lluka dhe noterja kanë falsifikuar dokumentat. Ndërsa ish-administratori pretendon se ka fakte dhe dokumenta në lidhje e procesin noterial.
Emin Pacolli, vëllai i biznesmenit nga Kosova Behgjet Pacolli, është marrë në pyetje në Prokurorinë e Tiranës lidhur me veprimet e kryera në kompaninë koncesionare për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Ai ka dhënë shpjegime lidhur me shitjen e 49% të aksioneve tek biznesmeni Valon Ademi. Në dëshminë e dhënë, ai ka pranuar se ka një konflikt tregtar me Ademin për çështjen e aksioneve, por ka shtuar se vëllai i tij, Behgjet Pacolli, nuk ka pasur dijeni për këtë, pasi nuk ka të drejtë firme në kompaninë e cila aktualisht zotëron 98% të aksioneve të aeroportit.
Pas këtyre zhvillimeve, ka reaguar edhe vetë Behgjet Pacolli. Ai ka deklaruar se qeveria shqiptare nuk ka paguar dhe nuk do të paguajë asnjë qindarkë për ndërtimin e këtij aeroporti. Sipas tij, ndërtimi i aeroportit dhe të gjitha investimet financohen nga koncesionari dhe se lajmet për të në media janë të pavërteta.
Lidhur me çështjen, në Prokurori është thirrur dhe marrë në pyetje edhe noterja Valbona Selimi, e cila ka pranuar se palët, kanë nënshkruar kontratën në prill 2025.
Përtej këtij debate mes dy ortakëve që tashmë janë kthyer në armiq publikë një pikë tjetër kyçe po zhvillohet në një tjetër prokurori. Siç konfirmoi drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, çështja po hetohet edhe nga SPAK. Një aeroport, dy hetime penale! Si do të shkojë më tej? Mbetet për t’u parë!
Në Prokurori ka mbërritur një kallëzim i ri për çështjen në fjalë. Emin Pacolli ka depozituar një kallëzim penal kundër ish-administratorit Valon Lluka, noteres Valbona Selimi si dhe aksionerit të minorancës Valon Ademi, duke i akuzuar për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh, për të përvetësuar e 47% të aksioneve.
Palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjeve dhe përpjekje për përvetësim të padrejtë të aksioneve.
Nga ana tjetër, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i ka hequr të drejtën e votës kompanisë në pronësi të Behgjet Pacollit deri në përfundim të hetimeve.
Ndërkohë, një fletë-thirrje për t’u paraqitur dhe për t’u pyetur si person që ka dijeni të ngjarjes i ka ardhur edhe vetë biznesmenit Behgjet Pacolli.
Prej gati dy muajsh, vëllezërit Pacolli janë përballur me akuza të shumta, por tashmë duket se kanë kaluar në kundërsulm ndaj personave që, sipas tyre, kanë kryer veprime arbitrare dhe antiligjore. Gjithçka mbetet për t’u parë se si do të përfundojë kjo ngjarje! /ZËRI
