TIRANË-Në GJKKO po mbahet sot seanca e radhës në themel për ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-deputeten Monika Kryemadhi. Të pranishëm në sallë janë si Meta ashtu dhe Kryemadhi, ndërsa raportohet se avokati i ish-deputetes, Redi Llanaj, nuk është lejuar të hyjë pasi nuk pranon t’i kontrollohet çanta nga punonjësit e sigurisë. Në diskurim është çështja CEZ-DIA, e cila ka sjellë debate mes mbrojtjes dhe akuzës.
Meta ka mohuar akuzat, duke deklaruar se pretendimet për përfshirjen e tij në çështjen CEZ-DIA bazohen te “gënjeshtra” dhe përmendi një email të vitit 2016, për të cilin pretendon se nuk përmend emrin e tij apo të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ilir Meta: Do bëj dy plotësime për CEZ-DIA. Më vjen keq që ai nuk është mes nesh, por gënjeshtrat e Dritan Priftit janë mes nesh. Ky ka thënë që jam përfshirë unë te CEZ-DIA. Ka një email që dërgon Ervis Mataj më 16 prill. I ka shkruar avokatit që kjo puna e DIA-s është korruptive. Nuk përmendet as emri im, as emri i Berishës.
Seanca e kaluar e mbajtur më 18 qershor u shoqërua me tensione e debate mes kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe gjyqtarit Erion Bani. Po ashtu gjykata gjobiti me nga 10 mijë lekë Monika Kryemadhin dhe avokatin e Ilir Metës, Kujtim Cakrani, pasi këta dy të fundit ndërhynë pa leje gjatë procedurës gjyqësore.
Ndërkohë Prokuroria e Posaçme ka kërkuar marrjen në pyetje të dhjetëra dëshmitarëve në lidhje me gjyqin që po mbahet për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhi, lidhur me çështjen CEZ-DIA dhe kontratat e lobimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mes personave që është kërkuar të merren në pyetje janë debutetë e emra të njohur në fushën e biznesit. Gjykata ende nuk është përgjigjur për kërkesën e SPAK.
Ilir Meta ndodhet në burg prej 21 tetorit 2024. Ai akuzohet për tre vepra penale, për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion. Po të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi ish-deputeten dhe ish-bashkëshorten e Metës, Monika Kryemadhi. Ish-presidenti ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje.
Meta dhe Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.
Për dyshimet se kanë ndihmuar në pastrimin e parave, në gjyq është çuar edhe Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit dhe Ema Çoku. Ndërkohë, Pirro Xhixho përballet me akuzën për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Hetimi nisi në vitin 2019 pas dy kallëzimeve të mbërritura në SPAK./ZËRI

