
TIRANË-Tre persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës për shitjet e jashtëligjshme të biletave, për ndeshjen që do të zhvillohet të shtunën e 7 qershorit mes Shqipërisë dhe Serbisë. Në pranga janë vendosur Ledion Metallari 34 vjeç, Arbi Topi 23 vjeç dhe Ilir Lokaj 24 vjeç. Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë E. Sh. 25 vjeç dhe një i mitur 16-vjeçar.
Hetimet nisën pas informacioneve të siguruara se në një profil në rrjetin social Instagram, tregtoheshin bileta me çmime shumë herë më të larta se ato të përcaktuara nga Federata Shqiptare e Futbollit. Mësohet se biletat shiteshin nga 250 deri në 500 euro, ndërsa për sektorin VIP, çmimi arrinte deri në 1500 euro për një biletë.
Njoftimi i policisë:
Shitën në Instagram, bileta për ndeshjen “Shqipëri–Serbi”, me çmim disa herë më të lartë se ai i përcaktuar nga FShF-ja, arrestohen 3 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2.
Si rezultat i sigurimit të informacionit se në një llogari në rrjetin social “Instagram”, shiteshin bileta për ndeshjen e futbollit “Shqipëri–Serbi”, me çmim disa herë më të lartë se ai i përcaktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin “Attention”.
Në kuadër të operacionit, u identifikuan autorët e dyshuar të rastit, shtetasit L. M., 34 vjeç, A. T., 23 vjeç dhe I. L., 24 vjeç, të cilët u vunë në pranga, si dhe shtetasi E. Sh., 25 vjeç dhe një 16-vjeçar, për të cilët filloi procedimi në gjendje të lirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Manipulimi i tregut” dhe “Fshehja e të ardhurave”./ZËRI