DURRËS-Kanë mjaftuar vetëm disa orë shi dhe disa nga qytetet e Shqipërisë janë mbuluar sërish nga uji. Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar vështirësi në qarkullimin e këmbësorëve dhe mjeteve që në orët e para të mëngjesit të sotëm në Durrës.
Reshjet kanë krijuar probleme në shumë akse rrugore, përfshirë dhe nënkalimin te Veliera në lagjen nr. 1 të Durrësit pranë portit. Sipas raportimeve nga qytetarët, nënkalimi është bllokuar nga reshjet dhe policia ka ndaluar qarkullimin në të dy kahet e lëvizjes.
Situata problematike raportohet edhe në Vlorë, ku në orët e para të mëngjesit, rreth orës 05:25, u regjistruan përmbytje në disa zona. Lagjja “Pavarësia 3”, zona pranë stadiumit “Flamurtari”, Bulevardi Kryesor dhe rruga “Gjergj Arianiti” u mbuluan nga uji. Nën ujë mbetën gjithashtu edhe lagjet “28 Nëntori”, “Pavarësia” dhe “Kushtrimi”, ku ujërat vijojnë të jenë të pranishme në rrugë.
Ndërkohë në Lezhë kanalizimet nëntokësore nuk e kanë përballuar nivelin e prurjeve dhe ujërat kanë dalë në sipërfaqe, duke sjellë përmbytje në bllokun e banimit 11 Janari të lagjes Besëlidhja./ZËRI