SHKODËR-Ragip Gila, i dyshuar për masakrën e ndodhur në Shkodër ku dy persona humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosë, ka mbërritur sot në Gjykatën e Shkodrës. Nën masa të rrepta sigurie ai u shoqërua në gjykatë. Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij. Gila mësohet se nuk ka dhënë asnjë deklaratë gjatë seancës për masën e sigurisë në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër.
Gila u arrestua gjatë një tentativë për t'i ikur policisë, ku u aksidentua në dalje të qytetit dhe më pas u largua me këmbë drejt lumit Kir. Por, pas një ndjekje prej disa minutash ai u kap nga Forcat Shqiponja, ndërsa gjatë arrestimit iu sekuestrua edhe arma e krimit. Në dëshminë e tij paraprake, ai ka pohuar se objektivi i tij ishte vetëm një person, Erogen Vaso. Në lidhje me ngjarjen në kërkim janë shpallur edhe dy bashkëpunëtorët e tij, Barush Bregu, i njohur si krahu i djathë i grupit Lici dhe një 17-vjeçar. Të dy akuzohen se kanë siguruar armët, mjetet dhe pajisjet e tjera për kryerjen e atentatit në Shkodër.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së hënës, 8 shtator, ku 29-vjeçari Ragip Gila hapi zjarr në një lokal pranë Bashkisë së Shkodër, ku Armando Pali dhe Erogen Brajoviçku ishin duke pirë kafe. Por breshëria e plumbave kapi 5 persona, mes tyre kamarieren 25-vjeçare Meri Kaceri dhe një grua që ndodhej rastësisht në vendngjarje. I vdekur mbeti Armando Pali, punojës i IKMT-së dhe ish-anëtar i Këshillit Bashkiak në Shkodër, dhe Liridon Kraja (Lushi) 31-vjeç, truproja e Erogen Brajoviç. Ndërsa Erogen Brajoviçku i cili ka qenë shënjestra e atentatit, mbeti i plagosur./ZËRI



