VLORË- Policia e Vlorës ka vënë në pranga 37-vjeçarin Skerdi Mehmetaj alias Piperi, i cili u paraqit pasditen e djeshme në ambientet e spitalit, pasi ishte plagosur me armë zjarri. Mësohet se i riu është vetëplagosur me armë në ambientet e jashtme të një lokali, dhe për të fshehur ngjarjen e ka fshehur armën në një makinë që ishte parkuar në zonë.
Ai është vënë në pranga nga Policia, nën akuzën e armëmbajtjes pa leje, ndërkohë që ka tentuar të fshehë ngjarjen, duke thënë se kishte mbetur i plagosur në makinën e tij.
Pas plagosjes 37-vjeçari u paraqit në Spitalin Rajonal të Vlorës dhe burime nga bluzat e bardha bëjnë të ditur se Skerdi Mehmetaj alias Piperi ka marrë një plumb në këmbë, por është jashtë rrezikut për jetën. Ai është vënë në pranga në ambientet e spitalit, ku dhe është duke marrë mjekim. Nuk dihen ende rrethanat e vetëplagosjes, ndërsa grupi hetimor ka marrë në dorëzim pamjet filmike.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, shtetasin S. M., 37 vjeç, banues në Selenicë, pasi ditën e djeshme, në ambientet e jashtme të një lokali në Vlorë, dyshohet se është vetëplagosur në kofshën e majtë, nga qitja aksidentale e një arme zjarri tip pistoletë, të cilën e mbante pa leje. Arma me 16 fishekë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Aktualisht, ky shtetas ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal Vlorë, jashtë rrezikut për jetën", njofton policia e Vlorës.