TIRANË- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka dalë për momentin jashtë funksionit pasi të gjithë insektorët do tu nënshtrohen disa testeve. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ka bërë me dije se ka urdhëruar pezullimin e të gjitha inspektimeve pa planifikim paraprak dhe të pamiratuara të AKU-së. Gjithashtu, sipas Denajt, është ngritur një Komision i Posaçëm Vlerësimi, që do të ketë 5 anëtarë, të cilët do të merren me rivlerësimin e inspektorëve.
“Ky urdhër ka një bazë edhe ngritjen e një komisioni të posaçëm me 5 anëtarë. Falenderoj mbështetjen e UBT, i cili do të ketë tre anëtarë në këtë komision. Komisioni do të vlerësojë në formë të shkruar inspektorët e AKU. Aplikantët e rinj do të jenë fokusi i këtij institucioni që do të sjellë një qasje dhe etikë të re,”- tha Denaj ndër të tjera.
Kjo lëvizje ishte paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama, pas një takimi me fermerët e Cërrikut, ku u shpreh se AKU më shumë ‘prish punë’ se sa ‘rregullon’. Kreu i qeverisë u shpreh se duhet të ngrihet një Komision i Posaçëm për të marrë në analizë të gjitha burimet njerëzore të Autoritetit Kombëtar të Ushqimeve dhe procesi i bashkimit të atyre inspektorateve të ndryshme që është vendosur më ligj./ZËRI/