Aktualitet

Shoqata Ndërkombëtare e Gazetarëve Evropianë dënon sulmin ndaj gazetarëve në protestën e PD

AEJ shprehet se gjuha kërcënuese dhe intimidimi fizik ndaj gazetareve dhe punonjësve të medias janë të papranueshme dhe një kërcenim i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias.

F.I
Shoqata Ndërkombëtare e Gazetarëve Evropianë dënon
PAMJE NGA NGJARJA

TIRANË-Shoqata Ndërkombëtare e Gazetarëve Evropianë ka dënuar sjelljen e demokratëve drejtuar gazetarëve në protestën e Partisë Demokratike të zhvilluar sot në Tiranë. AEJ shprehet se gjuha kërcënuese dhe intimidimi fizik ndaj gazetareve dhe punonjësve të medias janë të papranueshme dhe një kërcenim i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias.

REAGIMI:

Shoqata Ndërkombëtare e Gazetarëve Evropianë dënon sjelljen agresive dhe deklaratat e deputetëve të Partisë Demokratike nga Edi Paloka, Klevis Balliu ndaj gazetares Sara Demushi së Euronews dhe kameramanit, por edhe gazetarëve të tjerë, në protestën e sotme në Tiranë. Gjuha kërcënuese dhe intimidimi fizik ndaj gazetareve dhe punonjësve të medias janë të papranueshme dhe një kërcenim i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias. Tentativa për ti larguar është e papranueshme dhe cenon rëndë lirinë e medias. Është e rrezikshme për standardet e një vendi që një parti politike të shantazhojë dhe kërcënojë gazetarët. Një parti politike nuk mund të largojë mediet nga një aktivitet publik dhe nuk mund të përpiqet të ndalojë ato të ushtrojnë misionin e tyre.

Në një deklaratë për mediat edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënoi gjuhën e deputetëve të Partisë Demokratike dhe opozitës ndaj gazetarëve.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e konsideron të papranueshme gjuhën e disa prej drejtuesve të partisë kryesore të opozitës ndaj gazetarëve në protestën kundër procesit zgjedhor të 11 majit, të zhvilluar në Bulevardin Zog i I në Tiranë. Reporterët dhe operatorët e mediave u janë drejtuar krerëve të protestës opozitare me pyetje dhe si përgjigje, prej tyre dhe mbështetësve të pranishëm, kanë marrë reagime dhe etiketime të palejueshme. Tendenca për të politizuar pyetjet apo këmbënguljen e gazetarëve për shkak të pyetjeve të tyre, është e gabuar dhe na kthen në fillimet e pluralizmit politik shqiptar dhe në mendësitë e kulturës së munguar të diversitetit demokratik.

Po ashtu ka reaguar dhe sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SGPM)

“Dënojmë ashpër sulmet ndaj gazetarëve gjatë protestës së opozitës. Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë për aktet e dhunës dhe sulmet e papranueshme të ndodhura ditën e sotme ndaj gazetarëve, gjatë raportimit të protestës së organizuar nga opozita. Sulme të tilla përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias, të drejtës për informim të paanshëm, dhe vetë lirisë së shprehjes në një shoqëri demokratike. Gazetarët, në ushtrimin e misionit të tyre informues, përfaqësojnë një funksion publik në shërbim të qytetarëve. Çdo akt që synon të intimidojë apo dhunojë ata, është një shkelje e rëndë ndaj demokracisë dhe duhet të dënohet pa ekuivok. I bëjmë thirrje përfaqësuesve të Partisë Demokratike të distancohen publikisht nga çdo akt dhune apo gjuhë nxitëse ndaj punonjësve të medias, si dhe të mbajnë një qasje etike dhe të përgjegjshme në komunikimin me gazetarët. Diskursi politik nuk mund dhe nuk duhet të drejtohet ndaj mediave të lira. Liria e shtypit është një vlerë themelore që duhet mbrojtur dhe respektuar nga të gjitha palët, pa përjashtim”, lexohet në deklaratën e sindikatës së Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias.

Konkretisht deputeti Flamur Noka dhe disa mbështetës pranë tij, janë kapur me gazetarin e TopChannel, duke i kërkuar të largohet, ku ofendimet ndaj tij nuk kanë munguar. Gazetari Bekim Bici, teksa po raportonte mes protestuesve, ai është shtyrë dhe i kanë vendosur pankartat para fytyrës duke ia vështirësuar punën. Po ashtu edhe deputeti Edi Paloka dhe mbështetësit e tij kanë fyer gazetaren e Euronews, Sara Demushi. Paloka nuk e ka lejuar të raportojë, duke i kërkuar të ikë dhe të mos transmetojë. Edhe Klevis Balliu ka akuzuar gazetarët që po mbulojnë protestën e Partisë Demokratike se “kanë prekur protestuesit”, gjatë tubimit te bulevardi “Zogu I”./ZËRI

Poll

MOS HUMB