TIRANË- Vëllai i deputetit të Partisë Socialiste, Saimir Hasalla është shoqëruar nga Policia e Shtetit. Denis Hasallës i janë gjetur në banesë 30 fishekë luftarakë. Ai aktualisht mban pozicionin e drejtorit të kabinetit në bashkinë e Peqinit. Bashkë me të është vendosur në pranga edhe Bledar Çullhaj, të cilit gjatë kontrolleve në banesë i është gjetur një armë e ftohtë.
NJOFTIMI I POLICISË:
Elbasan
Strukturat për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për lejimin e kontrollit në disa banesa, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasve: -B. Ç., 36 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një armë e ftohtë; -D. H., 35 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një sasi municioni luftarak. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./ZËRI