
TIRANË- Një 16-vjeçar është ndaluar nga Policia e Tiranës, pasi ka shpërndarë në rrjetet sociale materiale intime të një të mitureje në rrjetet sociale tek disa persona të ndryshëm. Policia bën me dije se ka sekuestruar celularin e të miturit, ku dhe është konstatuar biseda me personat që ishin shpërndarë fotot dhe videot intime në disa rrjete të ndryshme sociale.
Autoritetet bëjnë me dije se po punojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Sakaq materialet procedurale i kaluan prokurorisë.
"Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e krimeve kibernetike, kanë ndaluar me iniciativë një shtetas të moshës 16 vjeç, për veprat penale “Pornografia me të mitur” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, parashikuar nga nenet 117/2 dhe 186/a të Kodit Penal.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se 16-vjeçari ka shpërndarë materiale personale (fotografi dhe video) të një shtetaseje të mitur, në rrjete sociale dhe në aplikacione të ndryshme komunikimi, te disa shtetas të ndryshëm.
Aparati celular i 16-vjeçarit është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe gjatë analizës e këqyrjes paraprake të tij janë konstatuar biseda dhe komunikime në të cilat ishin shpërndarë fotot dhe videot intime, në aplikacione elektronike të personave të ndryshëm.
Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë", njofton policia. /ZËRI