LEZHË- Tre persona u arrestuan pak ditë më parë në Lezhë, në kuadër të një operacioni antidrogë, ku u zbulua një magazinë e përshtatur për kultivimin e lëndëve narkotike. Babë e bir dhe një punonjës i OSHEE ranë në prangat e policisë, ndërsa sot janë njohur me masat e sigurisë në Gjykatën e Lezhës.
Arben Gjergji dhe Arnold Gjergji (babë e bir), si dhe Gjon Doda, punonjës i OSHEE-së, u paraqitën ditën e sotme në Gjykatën e Lezhës. Në seancën e mbajtur me dyer të mbyllura, që zgjati rreth 60 minuta, gjykata vendosi "arrest me burg" për babë e bir, ndërsa "arrest në shtëpi" u vendos për punonjësin e OSHEE për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Laboratori i drogës u zbulua pak ditë më parë në superstradën Lezhë–Milot, në një objekt 3-katësh në fshatin Rrilë. Gjatë operacionit u kapën në flagrancë dhe u arrestuan dy autorët e dyshuar, babë e bir, si dhe një punonjës i OSHEE-së, i dyshuar si bashkëpunëtor. Po ashtu, u proceduan penalisht edhe 4 shtetas të tjerë, punonjës të OSHEE.
Policia sekuestroi 8.8 kilogramë kanabis të tharë, 1064 bimë, 960 fidanë dhe 850 fara kanabisi, 106 llamba elektrike dhe 180 gramë kokainë. Gjithashtu u sekuestruan 1 automatik me dy krehra me fishekë, 1 pistoletë sportive me fishekë, 1 automjet dhe 4 celularë. /ZËRI
