TIRANË- Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka shtyrë seancën e radhës për dosjen 'Plumbi i Artë', që ishte planifikuar të mbahej këtë të enjte. Seanca e radhës është caktuar të zhvillohet më 3 shkurt, në orën 10:00.
Mësohet se shkak për këtë është bërë mungesa e të pandehurit, Nuredin Dumani. Avokati mbrojtës i të pandehurit tjetër, Gentian Sharra, kërkoi shoqërimin e detyrueshëm të bashkëpunëtorit të drejtësisë, Nuredin Dumani, për të mundësuar ballafaqimin mes palëve. Por, kërkesa u kundërshtua nga SPAK, duke argumentuar se në kushte të tilla nuk është e mundur organizimi i një përballjeje dhe kërkoi rrëzimin e saj.
Ndërkohë, gjykata vlerësoi se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për shoqërimin e detyrueshëm të bashkëpunëtorit të drejtësisë, duke theksuar se do të shprehet më vonë lidhur me këtë kërkesë.
Dosja "Plumbi i artë" u hap pas kapjes së asokohe të plagosurit Nuredin Dumani, i cili ishte një nga personat më të kërkuar të Policisë së Shtetit, pasi dyshohej se ishte vrasës me pagesë. Që nga arrestimi i tij, Dumani pranoi që të bashkëpunonte me drejtësinë, duke u kthyer në një të penduar. Gjatë rrëfimeve të tij për hetuesit e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Dumani ka zbërthyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin duke i thënë SPAK kodet e PIN-eve që kishte në aplikacionin "SkyECC": 'Totorina", "Covid 19" dhe "Alcatraz". Po ashtu, gjatë dëshmive të tij në Gjykatë ka paralajmëruar edhe krime të tjera që do të zbardhen me "Matrix", aplikacionin më të ri që është dekriptuar nga Europol.
Gjatë 3 viteve që ka statusin e të penduarit të drejtësisë, Dumani ka folur edhe për ngjarje e vrasje të bëra jashtë territorit të Shqipërisë, në Belgjikë, Holandë dhe në Itali. Në dosjen 'Plumbi i Artë' përmenden të paktën 32 persona të dyshuar dhe akuzuar, nga 4 organizata të ndryshme kriminale. Dëshmitë dhe emrat e bashkëpunëtorëve që Nuredin Dumani u dha prokurorëve të SPAK, kanë zbardhur plot 27 krime e ngjarje të ndryshme të ndodhura gjatë një dekade mes Tiranës, Elbasanit e Durrësit./ZËRI