TIRANË-Gjykata e Posaçme ka shtyrë seancën për dosjen ‘Buka’, ku shkak është bërë mungesa e avokatëve të ish-zëndendës kryeministrit Arben Ahmetajt. Seanca e radhës pritet të zhvillohet më 27 prill.
Ndërkohë biznesmeni Lirim Fezollari u paraqit paraditen e sotme në Gjykatën e Posaçme, por do të rikthehet sërish më 27 prill ku do të pyetet nën cilësinë e dëshmitarit për çështjen “Buka”. Fezollari përfitues i ankandit për privatizimin e aksioneve shtetërore të ish-furrës së bukës është i pari në listën e dëshmitarëve, përcaktuar nga seanca e zhvilluar në GJKKO në shkurt të këtij viti lidhur me çështjen.
Lidhur me dosjen në listë janë 22 dëshmitarë. Në këtë çështje Ahmetaj akuzohet për “shpërdorim të detyrës” gjatë procesit të privatizimit të ndërmarrjes “Buka sh.a”, duke shkaktuar një dëm prej miliona eurosh në buxhetin e shtetit.
Arben Ahmetaj, në cilësinë e Ministrit të Ekonomisë, zhvilloi ankandin për shitjen e aksioneve të “Buka” sh.a në vitin 2015, ku iu kalua biznesmenit Fezollari edhe prona që iu është njohur trashëgimtarëve të ish-pronarit të shpronësuar në vitin 1945 nga regjimi komunist. Dëmi që llogaritet nga privatizimi i ish-fabrikës së bukës llogaritet të jetë 700 milionë lekë.
Ish-zv kryeministri i vendit, Arben Ahmetaj është aktualisht në kërkim ndërkombëtar, teksa mbi të rëndojnë akuzat “Korrupsion pasiv”, “Fshehje pasurie” dhe “Pastrim parash”. Ish-numrit dy të qeverisë i janë sekuestruar disa pasuri. Disa prej pronave dyshohet se janë vendosur nga raporti që ka pasur Ahmetaj me pronarët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Vetë Ahmetaj i ka mohuar vazhdimisht akuzat, qoftë për dosjen e inceneratorëve, qoftë për privatizimin e ish-shoqërisë Buka./ZËRI