Aktualitet

Siguria në Gjykata, Drejtori i Policisë Ilir Proda takim në GJKKO

Këshilli i Lartë Gjyqësor, ka publikuar dje një sërë masash që kërkojnë të zbatohen, për shtimin e sigurisë në gjykata

E.K
Siguria në Gjykata, Drejtori i Policisë Ilir Proda takim në GJKKO
ilir proda ne gjkko

TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka mbërritur paraditen e sotme në ambientet e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Mësohet se vizite e tij lidhet me diskutimet për masat e sigurisë brenda dhe rreth ambienteve të gjykatës. Këto masa janë kërkuar të përforcohen me kërkesë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, në ambientet e Gjykatës së Apelit.

Proda pritet të diskutojë me drejtues të GJKKO-së dhe përfaqësues të institucioneve ligjzbatuese për mënyrat e garantimit të rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore me risk të lartë. Pak ditë më parë, në ambientet e GJKKO-së ishte gjithashtu edhe kreu i Gardës së Republikës, Simon Zereci, në kuadër të të njëjtave masa sigurie. KLGJ kërkoi që punonjësit e sigurisë në gjykata të jetë të trajnuar, ose nga radhët e policisë së shtetit.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, ka publikuar një sërë masash që kërkojnë të zbatohen, për shtimin e sigurisë në gjykata. KLGJ ka ngritur një grup pune, për evidentimin e nevojave dhe kërkesave që ka sot sistemi i drejtësisë, veçanërisht sa i takon sigurisë së punës së gjyqtarëve, pas vrasjes së Astrit Kalasë. Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi gjithashtu të marrë masa të menjëhershme lidhur me adresimin pranë pushtetit vendor dhe kërkimin e ndihmës për ndërtimin e 8 godinave të reja të gjykatave të shkallës së parë në rrethet gjyqësore, si dhe ndërtimit të godinave të reja për Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. 

Vrasja e gjyqtarit Kalaja

Gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën më 6 tetor, gjatë një seance gjyqësore. Ai po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Autori, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkambi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks. Gjyqtari Astrit Kalaja nuk arriti t'i mbijetonte 3 plumbave në gjoks dhe humbi jetën rrugës për në spital. Ndërkohë, si pasojë e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe 2 persona të tjerë (babë e bir) Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët aktualisht ndodhen në spital. Në pranga kanë rënë autori, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe roja e sigurisë, Banush Koxhaj, që e lejoi hyrjen e armatosur të autorit në ambientet e gjykatës, ku ndodhi krimi. /ZËRI

Poll

MOS HUMB