Aktualitet

Situata e zjarreve sipas qarqeve/ Flakë të mëdha në Syrin e Kaltër, Finiq e Poliçan

Evakuime masive janë bërë në disa fshatra, ndërsa ndihma ndërkombëtare nga Kroacia, Italia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ka sjellë avionë e helikopterë në ndihmë të operacioneve

f.g
Situata e zjarreve sipas qarqeve/ Flakë të mëdha në Syrin e
Foto nga zjarret

TIRANE- Zjarret kanë goditur rëndë qarqet e Vlorës, Gjirokastrës, Beratit, Elbasanit, Lezhës, Tiranës, Fierit, Durrësit dhe Dibrës, duke kërcënuar banesa, stane, zona të mbrojtura dhe rrugë nacionale. Në Syrin e Kaltër, Finiq, Poliçan, Gramsh, Fushë-Arrëz dhe Krujë, situata është më e rënduara, me ndërhyrje urgjente nga ajri dhe toka. Evakuime masive janë bërë në disa fshatra, ndërsa ndihma ndërkombëtare nga Kroacia, Italia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ka sjellë avionë e helikopterë në ndihmë të operacioneve.

Situata sipas zonave

Syri i Kaltër (Sarandë): Një prej zonave më të goditura. Flakët kanë zbritur në rrugë, duke detyruar autoritetet të mbyllin qarkullimin Muzinë–Sarandë. Vizitorët janë evakuuar nga parku natyror, ndërsa vatrat riaktivizohen vazhdimisht në segmentin Bistricë–Muzinë.

Vergo / Skërficë: Zjarr mbi tunelin që lidh Sarandën me Gjirokastrën. Ndërhyrja nga toka është thuajse e pamundur për shkak të terrenit.

Lukovë dhe Bolenë (Himarë): Vatra aktive në zona me shkurre e pyje. Në terren po punojnë efektivët e zjarrfikëses së Himarës, Sarandës dhe FA, me mbështetje nga avioni kroat Canadair.

Finiq: Situatë e përsëritur prej ditësh. Disa banesa janë djegur në fshatin Leshnicë e Poshtme, ndërsa zjarri është zhvendosur në fshatin Krane (njësia Mesopotam) dhe në Krongj, ku janë evakuuar banorët.

Konispol (Janjar – Ninat): Zjarr i fuqishëm rrezikon një stan me 350 bagëti të imta, si dhe sipërfaqe me ullinj dhe arra.


Poliçan: Zjarr masiv në zona të thella malore. Deputeti Erion Braçe e cilëson si zjarrin më të madh të regjistruar ndonjëherë në këtë zonë. U përfshinë vatra të reja në Mbrakullë, me ndihmë nga ushtria dhe zjarrfikëset e 6 bashkive.

Cërrik: Zjarr jashtë Uzinës Mekanike, që përfshiu sipërfaqe me shkurre dhe ullinj. Rrezik pranë Azilit të të Moshuarve dhe ujësjellësit.

Sojnik – Snosëm: Zjarr agresiv në pyje, me përhapje të shpejtë. Rrezikohen banesa në të dy fshatrat.

Mukaj (Gramsh): Situatë problematike për shkak të erës. Në terren ndodhen forcat operacionale dhe 20 efektivë të bashkisë.

Skërfica (nga Gjirokastra): Vatra e vështirë për t'u arritur nga toka, kërkohet ndërhyrje ajrore.

Fushë-Arrëz (Xath): Flakë të përmasave të mëdha. Banorët evakuuar nga policia, ndërsa rruga Fushë-Arrëz–Tropojë është bllokuar nga tymi.

Rrëshen – Malaj i Epërm: Vatra në pyll me pisha dhe lis, e izoluar, por nën monitorim të vazhdueshëm.

Krujë (Mali i Krujës – Nikël – Barkanesh): Zjarr i përhapur në pyll pishe. Vatra riaktivizohen për shkak të erës. Në Nikël, situata konsiderohet më problematike.

Ibë – Mali i Bërzhitës: Rreth 5 hektarë me ferra dhe shkurre të djegura. Forcat po punojnë për izolimin.

Ballaj – Zhabjak: Zjarri rrezikoi banesat. Falë ndërhyrjes me helikopterë të FA dhe 50 efektivëve, janë shpëtuar mbi 50 shtëpi, disa prej të cilave u prekën në oborr./ZERI

Poll

MOS HUMB