
TURQI- Një skandal i madh është në hetim e sipër nga prokurorët në Turqi! Bëhet fjalë për bastet sportive dhe ndeshje të manipuluara nga një grup kriminal, me qëllim përfitimet monetare. Sipas mediave të huaja, Prokuroria e Stambollit ka prerë urdhër-arreste për 20 të dyshuarit që ishin pjesë e skemës, mes tyre këngëtarin Serdar Ortaç dhe prezantuesin Mehmet Ali Erbil. Në mesin e personave të prangosur ishte edhe fenomeni i rrjeteve sociale İbrahim Yılmaz, i njohur për shpërndarjen e parave tek personat rastësorë, vetëm sepse e ndjekin në rrjetet sociale.
Pas arrestimit, ai u tha efektivëve të Policisë: Unë kam afërsisht 20 milionë ndjekës. Nëse ndjekësit e mi ndjekin njerëzit që unë ndjek, unë iu jap shpërblime. Unë i drejtoj ndjekësit e mi në këto faqe me të cilat kam një marrëveshje reklamimi. Pas incidentit (arrestimit) mësova se këto faqe janë faqe të paligjshme bastesh.
Pra e pranoi fajësinë, por u shpreh se nuk kishte asnjë dijeni se në çfarë aktiviteti të paligjshëm ishte përfshirë.
SKEMA E GRUPIT
Gjatë hetimit u zbulua se "baronët e basteve" operonin jashtë vendit, por paratë i pastronin përmes klubeve sportive në Turqi. Këto grupe kriminale blejnë klube nga vende si: Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Gjeorgjia; më pas mashtrojnë duke ndikuar në rezultatet e ndeshjeve. Për të reklamuar biznesin e tyre, këta anëtarë të grupit kriminal, "pajtonin" persona të njohur në Turqi. Sipas hetimeve, pagesat për reklamim arrinin deri në 1 milion dollarë.
Po sipas Prokurorisë së Stambollit, shuma e parave që lëviz jashtë shtetit nga Turqia nga bastet e paligjshme ka arritur në 50 miliardë dollarë. Kompanitë ilegale të basteve që reklamojnë veten duke përdorur futbollistë të famshëm, klube sportive dhe artistë fitojnë pothuajse 3-4 herë më shumë se kompania zyrtare e basteve në Turqi. Bastet ilegale përbëjnë një kërcënim të madh, veçanërisht në botën e sportit. Por Prokuroria e Stambollit ka kapur edhe një aspekt tjetër, duke e cilësuar biznesin e lojrave të fatit si "drogë dixhitale". Sipas hetuesëve, bota e basteve ndikon negativisht në jetën e individëve veçanërisht të rinj, të cilët prishin strukturën e familjes dhe i japin fund martesave pikërisht prej problemeve që u shkakton humbja e parave në baste./ZËRI