Aktualitet

Skandali i ndërtimeve pa leje në Sarandë: Alqi Papa i "Oasis" mbetet në burg, "shpëtojnë" efektivët e policisë (EMRAT)

Më herët, në "arrest shtëpie" ishte lënë edhe një tjetër punonjës policie, Blerim Tafçiu, i përfshirë në të njëjtën çështje.

zh.ll
Skandali i ndërtimeve pa leje në Sarandë: Alqi Papa i
FOTO ILUSTRUESE

SARANDË- Gjykata e Sarandës ka ndryshuar masat e sigurisë për dy efektivë policie të arrestuar pak ditë më parë në kuadër të hetimeve për ndërtimet pa leje në rastin e njohur si “Copacabana”, duke i lënë ata në masën “arrest shtëpie”.

Bëhet fjalë për efektivët Kristofor Shkrepa dhe Kastriot Sotka, të cilët më herët ishin lënë në "arrest me burg". Po ashtu, më herët, në "arrest shtëpie" ishte lënë edhe një tjetër punonjës policie, Blerim Tafçiu, i përfshirë në të njëjtën çështje.

Ndërkohë, për pronarin e hotelit “Oasis”, Alqi Papa, i arrestuar në të njëjtën ditë me efektivët e Policisë, Gjykata e Sarandës ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”.

Papa u vu në pranga pas sekuestrimit të hotelit të tij nga Prokuroria në muajin maj, pasi dyshohet për ndërtimin e një kati pa leje mbi tarracën e hotelit 6-katësh “Oasis”, i ndodhur në rrugën “Butrinti”, në lagjen nr. 1 të qytetit bregdetar.

Arrestimi i tre efektivëve të Policisë dhe i pronarit të hotelit më 26 maj pasoi dhënien e 12 masave sigurie nga Prokuroria e Sarandës për punonjës policie, zyrtarë dhe biznesmenë, në kuadër të hetimeve mbi ndërtimet pa leje, pas skandalit të beach-barit “Copacabana”, i ndërtuar pa leje dhe që më pas u shemb nga IKMT./ZËRI

Poll

MOS HUMB