
TIRANË- Matilda Kaja është mjeke pranë spitalit “Amavita” që ndodhet në rrugën Pjetër Budi në Qytet Studenti, por sot ka qenë shënjestër e një sulmi me tritol. Makina e saj ishte e parkuar në parkingun privat të spitalit ku dhe ajo punon, në momentin që ka ndodhur dhe shpërthimi i lëndës plasëse.
Arsyet janë të paqarta, nëse lidhen me ndonjë konflikt me ndonjë pacient apo nëse e gjithë ngjarja ka një histori personale, por lënda ka shpërthyer në momentin që mjekja nuk ndodhej brenda mjetit dhe kjo ndoshta tregon se autori ka dashut t’i japë thjesht një ‘mesazh’.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që spitali “Amavita” lakohet dhe bëhet pjesë e kronikave.

Në vitin 2019, ky spital u bë strehë e atentatorëve të ngjarjes kriminale ku mbetën dy persona të vrarë në Laç, Bujar Lika, miku i Ervis Martinajt dhe Paulin Gjergji.

Edhe pse kishin kaluar vetëm 20 ditë nga krimi i dyfishtë, Eduart Lamaj, një prej ekzekutorëve kishte arritur të gjente ‘strehën perfekte’, spitalin “Amavita”.
Momenti kur Eduart Lamaj zbret nga bagazhi i Range Roverit tek AMAVITA:
Ai kishte marrë një plumb gjatë kryerjes së atentatit dhe për shkak se gjendja e tij ishte përkeqësuar, Lamaj u dërgua në spitalin privat "Amavita" nga familjarët. Ndjekja e familjarëve zbuloi dhe atentatorin e shtruar, por edhe skemën ilegale në të cilën ishin përfshirë mjekët e këtij spitali privat.
Dy mjekët që kishin kryer ndërhyrjet kundrejt Eduart Lamajt, Vitor Marku dhe Besim Lamaj, u vunë në pranga pasi kishin marrë 10 mijë euro për të kryer operacionin në këmbë në mënyrë ilegale. Në pranga u vu dhe pronari i spitalit, Agim Karaj, shef i Onkologjikut që u akuzua për shpërdorim detyre, por që më pas u la i lirë nga Apeli./ZËRI/