TIRANË- Regjistrimi i studentëve që do të ulen për herë të parë në auditorë ka nisur sot në të gjitha universitetet e vendit. Regjistrimet do të zhvillohet nga sot, 29 gushte deri më 11 shator, nëpërmjet 7 fazave 48-orëshe.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu uroi të gjithë maturantët, teksa ndau hapat që duhet të ndjekin studentët për t’u regjistruar në degën që kanë fituar.
Hapat që duhet të ndjekin studentët:
Identifikohu- Përdorni ID e maturës për t’u identifikuar te Këndi i Maturantit.
Kontrolloni këndin- Kontrolloni në kohë reale statusin tuaj, me ngjyrë jeshile tregohen degët ku jeni fitues, me ngjyrë të verdhë janë degët ku shpalleni fitues në fazën e ardhshme.
Afati është 48 orë- Në rastet kur jeni shpallur fitues keni 48 orë kohë për t’u regjistruar në atë degë. Kujdes kaloni afatin prej 48 orësh humbni të drejtën për t’u regjistruar, por ndiqni me vëmendje degët me ngjyrë të verdhë.
Regjistrohu- Për tu regjistruar në degën ku jeni fitues paraqituni në Sekretarinë e fakultetit me kartën e identitetit dhe dokumentet e nevojshme.
Mbi 20.000 maturantë aplikuan për studime në universitetet publike dhe private, një shifër që nuk ishte arritur më parë. Konkretisht 500 maturantë më shumë kanë aplikuar për arsimin e lartë krahasuar me një vit më parë./ZËRI