TIRANË- Sot në orën në orën 19:00 Partia Demokratike ka thirrur protestën e radhës në kryeqytet, përpara godinës së Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Për të siguruar mbarëvajtjen e aktivitetit dhe sigurinë e pjesëmarrësve, autoritetet policore kanë njoftuar kufizime të lëvizjes në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit, duke nisur nga mesnata e sotme.
Për të menaxhuar protestën, Policia bëhet me dije se do të angazhojë më shumë se 1200 efektivë policie, ndërsa i bën apel organizatorëve që të respektojnë vendin e përcaktuar dhe orarin e njoftuar.
Në kuadër të masave të njoftuar një ditë më parë, që prej mbrëmjes së djeshme, nga ora 23:45 e së enjtes deri në përfundim të tubimit, është bllokuar lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.
Gjithashtu nga ora 15:00 e ditës së sotme dhe deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Njoftimi i policisë:
Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi, më datë 08.05.2026, në orën 19:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para godinës së Kryeministrisë.
Në bazë të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka marrë masat me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit në vendin dhe afatin kohor të kërkuar.
Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme dhe të nesërme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
nga ora 23:45 e datës 07.05.2026 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”;
nga ora 15:00 e datës 08.05.2026 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia e Tiranës apelon për organizatorët e tubimit për respektimin e afatit kohor dhe vendit ku do të zhvillohet tubimi, si dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete.
Gjithashtu, apelon që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
Një ditë më parë, kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se protesta është e autorizuar vetëm në zonën e bulevardit. Në një konferencë për mediat, Hita bëri me dije se çdo devijim nga itinerari i miratuar do të sjellë ndërhyrjen e strukturave ligjzbatuese.
“Përsa i përket protestës që do të zhvillohet nesër, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat që protesta të organizohet dhe të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe paqësore. Leja është kërkuar për bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe aty duhet të jetë e përqendruar. Në rast të veprimeve joligjore nga ana e protestuesve do të veprohet në bazë të procedurave standarde dhe në bazë të ligjit dhe Kodit Penal”, deklaroi Hita ditën e djeshme gjatë një konference për mediat.