
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani reagoi pas vendimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për të çuar dosjen e tij për gjykim. Ai tha për "Ora e Betit" se vendimi i SPAK është i politizuar, pasi ka qëllim të dëmtojë imazhin e tij.
“Në SPAK ata që janë hajdutë nuk shkojnë. Pra duhet të jesh hajdut që të mos shkosh te SPAK-u. Kjo tregon që nuk jam hajdut, prandaj më çojnë tek SPAK-u. Por këtu është e qartë që ka një orientim ndaj meje nga qeveria, me synim për të na bërë pis edhe ne që nuk jemi bërë pis asnjëherë. Ka vendim politik, sepse kam guxuar të reagoj për interesin publik dhe një pronë publike. Përpara pallatit tonë, ish-ndërtuesi në vitin 2006 nëpërmjet një të moshuari e ka paraqitur sikur jeton atje dhe e ka paraqitur se mban veglat atje dhe e ka legalizuar në 2020-ën dhe më pas ia ka kaluar djalit të tij. Pra, pronën publike, ish-kopështi publik me 250 metra katror tokë, dhe jo vetëm kaq por na ka zënë dhe derën e pallatit”, u shpreh Dogjani. /ZËRI