TIRANË- Një operacion kundër Call Centerave mashtrues, i zhvilluar një ditë më parë në Tiranë, është finalizuar me goditjen e një aktiviteti të paligjshëm nga SPAK. Në aksion u angazhuan agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të mbështetur nga Policia e Shtetit, ndërsa kontrolle u ushtruan në disa ambiente në kryeqytet.
Operacioni erdhi pas një pune disa mujore, pas sinjalizimeve nga autoritetet franceze. Në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) u godit një call center që vepronte pranë gjimnazit "Sami Frashëri".
Sipas burimeve, pronari i këtij aktiviteti, Gentjan Pjetërgjokaj, i cili dyshohet se vepronte i kamufluar përmes kompanisë IVISION.AL shpk, ndërsa administratore rezulton Anisa Muçollari. Pjetërgjokaj është arrestuar nën akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda.
Gjatë operacionit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ndaloi edhe një punonjës policie, August Berberi, me detyrë në Komisariatin nr. 1. Atij i është marrë telefoni si dhe është kryer kontroll në banesën e tij nga agjentët e BKH-së dhe AMP-së.
Ky është rasti i dytë brenda një jave i goditjes së call center-ave mashtrues në Tiranë.
Javën e kaluar gjatë një aksioni në kryeqytet u goditën 3 qendra Call-Center, i cili çoi në arrestimin e 7 personave dhe të tjerë të shpallur në kërkim. Konkretisht 7 persona me masë 'arrest me burg', 2 në 'detyrim paraqitje' dhe 'ndalim jashtë vendit', si dhe 5 të tjerë të arrestuar në flagrancë. Hetimet 2 vjeçare, kanë nisur në Austri, aty ku ishte kryer veprimtaria kryesore e mashtrimit dhe operacioni u bë bashkë me SPAK dhe Policinë e Shtetit. Sipas hetimeve, kjo veprimtari u ka shkaktuar viktimave humbje që dyshohet se tejkalojnë 50 milionë euro.
Po ashtu një tjetër godinë u zbulua në fshatin Bërzhitë ku kryhej mashtrimi i qytetarëve të huaj. Ambienti rezulton i regjistruar si biznes në fushën e turizmit mjekësor, çka dyshohet se përdorej si mbulesë për aktivitetin e paligjshëm./ZËRI