Aktualitet

SPAK kërkoi pushimin e çështjes, GJKKO rikthen dosjen e gjyqtares Irena Gjoka: Prokuroria ka 6 muaj kohë

SPAK kishte kërkuar pushimin e çështjes, me argumentin se procesi është zhvilluar në mungesë dhe nuk është vërtetuar nëse gjyqtarja Gjoka ka qenë në dijeni të dënimit të saj në shtetin grek.

F.I
SPAK kërkoi pushimin e çështjes, GJKKO rikthen dosjen e
Irena Gjoka

TIRANË-Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur që të rikthejë në SPAK për plotësim hetimesh çështjen e gjyqtares Irena Gjoka. Vendimi u mor sot nga gjyqtarja Marinela Osmani, e cila i ka lënë SPAK-ut një sërë detyrash për t’i plotësuar brenda 6 muajve.

Më herët Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar pushimin e çështjes, me argumentin se procesi është zhvilluar në mungesë dhe nuk është vërtetuar nëse gjyqtarja Gjoka ka qenë në dijeni të dënimit të saj në shtetin grek.

Gjyqtarja Gjoka u kallëzua nga Partia Demokratike me pretendimin se ka fshehur në formularin e dekriminalizimit një dënim të dhënë ndaj saj nga një gjykatë në Janinë. Ndërkohë, sipas dëshmisë së gjyqtares, e cila rezultonte të ishte dënuar në vitin 2005 nga një gjykatë e Janinës, është e bindur se nuk ka bërë asnjë shkelje kur nuk e ka deklaruar një fakt të tillë në formularin e dekriminalizimit. 

Në dëshminë e saj të dhënë në SPAK, pas kallëzimit të PD për falsifikim të vulave dhe formularëve, Gjoka ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për vendimin që nuk u ekzekutua kurrë nga autoritetet greke, as për ndonjë proces hetimor penal të zhvilluar ndaj saj në Greqi.

Sipas SPAK gjatë hetimeve janë administruar materiale të shumta, përfshirë kallëzime shtesë, dokumente nga institucione vendase dhe të huaja, si dhe janë kryer verifikime në Prokurorinë e Përgjithshme, Ministrinë e Drejtësisë dhe autoritetet greke, përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

SPAK argumenton se nga dokumentacioni i ardhur nga Greqia rezulton se ndaj Irena Gjokës ekziston një vendim i vitit 2005 i Gjykatës së Shkallës së Parë në Janinë, ku ajo është shpallur fajtore për shkelje që lidhen me hyrjen dhe qëndrimin e paligjshëm në territorin grek, duke u dënuar me burgim dhe gjobë, kjo e fundit e konvertuar sipas vendimit. Si pasojë, ndaj saj janë marrë masa administrative, përfshirë dëbimin dhe ndalimin e hyrjes në zonën Schengen, të cilat janë kundërshtuar prej saj në gjykatat administrative greke./ZËRI

Poll

MOS HUMB