
TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur marrjen në pyetje të disa zyrtarëve të Policisë së Shtetit, lidhur me takimet e paautorizuara që këta të fundit kanë pasur me kolegun e tyre të paraburgosur, Roven Zeka. Edhe pse nuk dihet se për kë bëhet fjalë, mësohet se SPAK ka nisur marrjen e deklarimeve për të paktën 2 shefave të komisariateve në kryeqytet. Duke inspektuar edhe kamerat e sigurisë, SPAK ka pyetur personat përgjegjës në Bllokun e Sigurisë në “Mine Peza”, për të zbuluar më shumë lidhur me takimet e Zekës me kolegët e tij.
Po ashtu, raportohet se janë sekuestruar edhe pajisje telefonike, por sërish këto detaje ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga Prokuroria e Posaçme.
Për të njëjtën person, pra për shefin e Rrugores që aktualisht është në pranga, raportohet se subjekt i hetimit të prokurores Elida Kaçkini është edhe një personazh i njohur në botën e biznesit, por edhe identiteti i këtij të fundit nuk është bërë me dije.
Roven Zeka bashkë me shefin e Sektorit të Aksidenteve, Sokol Novaku dhe oficerin e policisë gjyqësore Edison Tabaku, sipas SPAK janë përfshirë në korrupsion pasiv. Ata akuzohen nga SPAK për veprën penale të korrupsionit. Kjo për shkak se akuzohen se kanë kërkuar dhe marrë pagesën 2 mijë euro nga biznesmeni Erges Vrioni, për të mos i arrestuar bashkëshorten që kishte shkaktuar një aksident.
Sipas dosjes hetimore, duke qenë se polici Tabaku e njihte Erges Vrionin, bashkëshortin e gruas që bëri aksidentin, i ka kërkuar para për të mos e arrestuar të shoqen, Anisa Vrionin. Kështu, biznesmeni i ka dhënë 1000 euro Tabakut pranë banesës së tij. Më pas, vetë Tabaku e ka takuar sërish Erges Vrionin në një lokal pranë komisariatit të Policisë Rrugore duke i kërkuar edhe para të tjera me pretendimin: Kam edhe të tjerë mbi kokë!
Urdhri i ndalimit të drejtorit të Policisë Rrugore të Tiranës, Roven Zeka, shefi i Sektorit të Aksidenteve në Tiranë, Sokol Novaku dhe Oficerit të Policisë Gjyqësore, Edison Tabaku është ekzekutuar nga BKH, në bashkëpunimin me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Gjatë kontrolleve të kryera për llogari të këtij procedimi penal janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumat prej; 2.500.000 lekë dhe 26 mijë euro./ZËRI