
TIRANË-Ekuadori dhe Spanja po shkojnë drejt një mosmarrëveshje ligjore mbi ekstradimin e Dritan Gjikës, i cili dyshohet se është udhëheqës i një organizate shqiptare të trafikut të drogës, pas arrestimit të tij në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe,raportojnë mediat e huaja.
Arrestimi i Gjikës ka bërë që Ekuadori dhe Spanja të fillojnë procedurat e ekstradimit. Vendimi tani u takon autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilat do të përcaktojnë se cili vend do ta ndjekë penalisht i pari të dyshuarin. Duke pasur parasysh provat e shumta të mbledhura nga të dy kombet, rezultati i kësaj beteje ekstradimi mund të ndikojë ndjeshëm në luftën më të gjerë kundër rrjeteve ndërkombëtare të trafikut të drogës.
Gjika, i njohur si 'Tony', ka qenë i arratisur që nga viti 2024, i kërkuar për planifikimin e një operacioni transnacional të kontrabandës së kokainës nga Kolumbia përmes Ekuadorit në Evropë. Arrestimi, i konfirmuar nga autoritetet ekuadoriane më 26 maj 2025, erdhi në kuadër të çështjes 'Pampa', një hetim i përbashkët nga Ekuadori dhe Spanja, ku u zbulua një rrjet përgjegjës për pastrimin e mbi 30 milionë dollarëve përmes kompanive ekuadoriane.
Bosi shqiptar i kokainës, Dritan Gjika, 48 vjeç, është arrestuar për rolin e tij në drejtimin e operacionit të kartelit për të importuar male me kokainë përmes Costa del Sol. Organizata kriminale dyshohet se përdorte biznese të ligjshme, duke përfshirë eksportuesit e bananeve, për të fshehur ngarkesat e kokainës në kontejnerë frutash të destinuar për në portet evropiane.
Gjika ka shkuar për herë të parë në Ekuador në vitin 2009 me një vizë të përkohshme. Ai shpejt u bë një nga kriminelët më të kërkuar të vendit. Për dosjen "Pampa", Gjykata dha dënimet për 14 të pandehur, të gjithë bashkëpunëtorë të 47-vjeçarit shqiptar. Vetë Gjika nuk mund të dënohej sepse ishte i arratisur nga drejtësia. Në Ekuador, ai jetoi një jetë luksi, pasi zotëronte disa kompani, makina të shtrenjta, mjete të blinduara dhe disa prona. Paratë e tij e lejuan që të krijonte lidhje me njerëz të rëndësishëm dhe zyrtarë të lartë të shtetit. Ndërkohë ai drejtonte një strukturë që transportonte drogë nga Lugina Cauca në Kolumbi. Droga hynte në Ekuador nga toka dhe futej në qendrat e magazinimit. Më pas transportohej në ferma dhe më pas në porte, ku futej në kontejnerë ose ngarkesa.