TIRANË- Dritan Gjika, i identifikuar si kreu i mafias shqiptare në Ekuador, u kap në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ministria e Brendshme e Ekuadorit njoftoi se i njohuri si "Tony" apo edhe si "Shqiptari", i cili është një personat më të shumëkërkuar për dosjen "Pampa", akuzohet për drejtimin e një organizate kriminale që vepronte në Ekuador dhe Spanjë, që ka dërguar sasi të mëdha droge në vendet e Amerikës Qendrore dhe Evropës (Holandë, Belgjikë dhe Spanjë). Kapja e bosit të drogës ishte rezultat i një operacioni të përbashkët midis Ekuadorit, Spanjës dhe autoriteteve në vendin e Lindjes së Mesme. Gjika kishte dy njoftime të kuqe të Interpolit për arrest të menjëhershëm, për trafik droge në shkallë të gjerë dhe pastrim parash. Aktualisht, Gjika po mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe, sipas Ministrisë së Brendshme, procedurat e ekstradimit do të fillojnë shumë shpejt për ta dërguar në Ekuador.
Gjika ka shkuar për herë të parë në Ekuador në vitin 2009 me një vizë të përkohshme. Ai shpejt u bë një nga kriminelët më të kërkuar të vendit. Për dosjen "Pampa", Gjykata dha dënimet për 14 të pandehur, të gjithë bashkëpunëtorë të 47-vjeçarit shqiptar. Vetë Gjika nuk mund të dënohej sepse ishte i arratisur nga drejtësia. Në Ekuador, ai jetoi një jetë luksi, pasi zotëronte disa kompani, makina të shtrenjta, mjete të blinduara dhe disa prona. Paratë e tij e lejuan që të krijonte lidhje me njerëz të rëndësishëm dhe zyrtarë të lartë të shtetit. Ndërkohë ai drejtonte një strukturë që transportonte drogë nga Lugina Cauca në Kolumbi. Droga hynte në Ekuador nga toka dhe futej në qendrat e magazinimit. Më pas transportohej në ferma dhe më pas në porte, ku futej në kontejnerë ose ngarkesa.
Kompanitë në dukje ishin legjitime, por në fakt përdoreshin për të nxjerrë drogën nga vendi. Grupi u godit në vitin 2024, në kuadër të një operacioni që u shtri në Ekuador dhe në Spanjë. Në këtë operacion, 30 persona u kapën në Guayas, Los Ríos, Cotopaxi, Azuay, Santa Elena dhe El Oro. Të arrestuarit ishin shtetas me kombësi ekuadoriane, spanjolle, argjentinase, kolumbiane dhe kineze. Policia zbuloi se organizata përdori disa individë dhe subjekte juridike për të blerë pasuri të ndryshme të luajtshme dhe të paluajtshme dhe automjete, duke pastruar një total prej 32,000,000 dollarësh. Në Ekuador, ata kishin gjashtë kompani, dhe në Spanjë, katër, me të cilat lehtësonin pastrimin e parave që vinin nga trafiku i drogës.