Aktualitet

Statusi/ Dumani me propozim të ri: Pas mandatit, prokurorëve të SPAK t’u jepet mundësia për rikandidim

Altin Dumani kërkoi që hetuesëve të SPAK t'u jepet mundësia që të rikandidojnë për të qenë sërish në shërbim të kësaj strukturë, edhe pa e zgjatur mandatin si prokuror.

k.m.
Statusi/ Dumani me propozim të ri: Pas mandatit, prokurorëve të
Altin Dumani

TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, ka raportuar ditën e sotme në Kuvend për punën e bërë nga institucioni që ai drejton. Në takimin e zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë, Dumani u ndal tek statusi i prokurorit, duke ripërsëritur edhe njëherë shqetësimin e përfundimit të mandatit 9-vjeçar. Edhe njëherë, Dumani kërkoi që hetuesëve të SPAK t'u jepet mundësia që të rikandidojnë për të qenë sërish në shërbim të kësaj strukture.

“Një shqetësim i bërë publik është mungesa e përcaktimit të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorit pas përfundimit të mandatit të tyre. Mandati është 9 vite dhe pas 9 vite, prokurorët e SPAK kthehen në vendin ku kanë qenë më parë. Ne kemi propozuar ndryshimet e nevojshme për të rishikuar dhënien e mundësisë që të rikandidojnë për të vazhduar të jenë prokurorë të SPAK dhe jo zgjatje automatike të mandatit,”- tha ai.

Po ashtu, gjatë fjalës së tij në takimin e Komisionit të Monitorimit të Këshillit të Europës, Dumani zbuloi se që nga krijimi dhe deri më tani, SPAK ka konfiskuar 150 mln euro asete të lidhura me krimin dhe korrupsionin, duke e cilësuar si një sukses të punës së bërë nga Prokuroria e Posaçme.

"Shpreh vlerësimin që Këshilli i Europës kanë dhënë për reformën e drejtësisë. Këto sfida janë themelore për shtetin e së drejtës dhe ruajtjen e besimit të qytetarëve te drejtësia. SPAK është në vijën e parë të kësaj lufte, duke ndjekur një qasje të bazuar në transparencë bashkëpunim ndërkombëtar dhe rezultate konkrete. Pavarësia institucioneve, kapacitet njerëzore dhe teknike kanë dhënë rezultate premtuese që janë përkthyer në çështje konkrete. Krahas ushtrimit të ndjekjes penale për zyrtarë të lartë, SPAK ka në fokus edhe luftën kundër krimit të organizuar, ku falë bashkëpunimit me agjenci të huaja të zbatimit të ligjit, kemi bërë të mundur të godasim grupe të ndryshme kriminale, organizata të ndryshme kriminale të përfshirë në krime të dhunshme apo trafik droge. Krahas ushtrimit të ndjekjes penale, në fokus të SPAK është edhe identifikimi dhe konfiskimi i produkteve te veprës penale si për subjekte që janë ndjekur penalisht për veprën penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nga data e krijimit të SPAk drri ditën që flasim kemi sekuestruar një total asesh 150 mln euro," tha ndër të tjera Dumani.

I pyetur nga Komisioni i Monitorimit të Këshillit të Europës, në aktivitetin e zhvilluar në parlament lidhur me bandat shqiptare në Ekuador dhe Mbretërinë e Bashkuar, Dumani theksoi se SPAK ka krijuar marrëveshje dhe ka ndihmuar autoritetet e huaja për hetimet ndaj grupeve shqiptare në Ekuador.

Pyetje: Gangsterët janë lojtarët kyç në zonën e Ekuadorës, Mafia Shqiptare në Ekuador është në kontroll të trafikut të drogës. Nga 2018 ka kaluar nga vendet më të qeta, në vendin që ka normën më të lartë të vrasjeve. Në Britaninë e Madhe bandat shqiptare kontrollojnë krimin e organizuar. Dua të di nëse zoti Dumani çfarë bashkëpunimi është kryer me Ekuadorin dhe Britaninë e Madhe për ti prerë aktivitetin këtyre gangsterëve. Një pjesë e madhe e ekonomisë shqiptare zihet nga para kriminale.

Dumani: Sa i takon Ekuadorit, e kemi konstatuar në hetimet që grupet shqiptare janë prezente në Ekuador. Kemi krijuar bashkëpunim me autoritetet e Ekuadorit. Në 2024 kemi konsoliduar një marrëveshje bashkëpunimi, kemi ndihmuar në hetimet që po bëjnë ndaj grupeve shqiptare siç po hetojmë bashkarisht. Edhe për shumë vende të tjera bashkëpunimi me Ekuadorin dhe vende të Amerikës Latine është vështirë. Por si SPAK ja kemi dalë të kemi kontakte dhe të kemi informacione e kemi bërë me shumë shtete të Amerikës Latine, Brazilin, dhe vende ku ka grupe shqiptarësh. Me Mbretërinë e Bashkuar kemi bashkëpunim të shkëlqyer. Drejtori MCA ka qenë në zyrën time, por edhe unë e kam vizituar në Londër. Kemi marrëdhënie konstante bashkëpunimi me shkëmbime informacionesh, kemi skuadra të përbashkëta. Kemi hetime të përbashkëta. Me kënaqësi me autoritet të Mbretërisë së Bashkuar kemi vendosur ura komunikimi të cilat dita ditës po japin fryte. Një fushë tjetër ajo kur shtetas shqiptar të dënuar në Mbretërinë e Bashkuar kanë transferuar produkte të veprës penale në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar për këtë kategori, SPAK të regjistrojë hetime pasurore për sekuestrimin e produkteve të veprës penale. Jemi në rrugë të mbarë. Kontaktet i kemi të shumta.

Gjithashtu, Dumani kërkoi që të ruhet pavarësia e institucionit që ai drejton, për të vijuar punën e mirë që sipas tij po bëhet në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

"Sot kemi një SPAK funksional, në përbërje janë 20 prokurorë, kemi investuar dhe me mjete dhe teknologji bashkëkohore. Një shtyllë e suksesit të SPAK ka qenë bashkëpunimi ndërkombëtar. Por para nesh ka shumë sfida. Në mënyrë të përsëritur, SPAK ka paraqitur disa shqetësime. Sfida e parë, ruajtja e pavarësisë institucionale të SPAK. Aktualisht kemi një kornizë ligjore që siguron këtë dhe besoj se kjo pavarësi është një ndër shkaqet që SPAK ka filluar të jetë i suksesshëm në ndjekjen e veprave penale. Duhet të bëhen ndryshime në Kodin Penal lidhur me pragun monetar prej 500 Euro me qëllim rritjen e këtij pragu. Çdo akt korruptiv mbi këtë marzh bën kompotentë SPAK-un. Është koha që ky marzh të rritet dhe SPAK të fokusohet tek çështjet e ndjeshme dhe që janë më të vështira për t’u hetuar. Një sfidë është administrimi me sukses i rolit të ri të komisionerit publik. Kemi filluar fazën e eksperimentimit dhe shumë shpejt në muajt e parë të 2025-ës do të bëhet funksional sistemi i administrimit të çështjeve, që do të përmirësojë dhe paraqitjen tonë sa i takon dhe statistikave të ndryshme,"-shtoi Dumani.

Në fund, Dumani kërkoi mbështetje, duke theksuar se SPAK nuk mund të luftojë i vetëm korrupsionin dhe ka nevojë për bashkëpunim./ZËRI

Poll

MOS HUMB