TIRANË-Në Gjykatën e Posaçme është mabjtur seanca e radhës për çështjen e sterilizimit, ku ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj akuzohet për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Prokuroria e Posaçme vlerësoi se 23 kërkesat e Ilir Beqajt përmes të cilave kundërshton akuzën por edhe veprimet proceduriale të organit hetues, janë të pabazuara në ligj dhe duhet të rrëzohen.
Lidhur me pretendimin e Beqajt se akuza për vjedhje nuk provohet, SPAK theksoi se i pandehuri nuk po paraqet kërkesa, por thjesht po bën pyetje që do të sqarohen gjatë konkluzioneve përfundimtare. Po ashtu SPAK mbrojti vlefshmërinë e të dhënave të përfituara nga kontrolli elektronik i kompjuterave.
SPAK: Kërkesa e ilir beqajt për pavlefshmërinë e aktit të njoftimit të akuzës e duhet të rrëzohet pasi nuk është bazuar në ligj. Veprimet janë aprovuar nga gjyqtari paraprak, pranimi i kërkesës për gjykim. Pretendimi i Beqajt se akuza e vjedhjes nuk provohet, konstatojmë se i pandehuri nuk shtron kërkesa por bëjnë pyetje, që janë sqaruar, dhe do trajtohen gjatë konkluzioneve përfundimtare të palëve.
Për kërkesën e përshjashtimit të të dhënave elektronike nga një kompjuter dhe pavlefshmëri të akteve vlerësojmë se janë veprime procedurale në konform me Ligjin. Kërkesa 19, akuza për vjedhje duke shpërdoruar detyrën e pavlefshme, vlerësojmë se vendimi është i bazuar në ligj. Sa i takon burime të provës dhe fakteve, në vendimin paraprak theksohen saktësisht dhe gjerësisht, ku theksohet edhe vlera e dëmit që të pandehurit i kanë shkaktuar shtetit. Kërkesa 20, mungesa e kontratës origjinale të prokurimit. Kontrata origjinale nuk është gjetur në MSH, dhe kjo përbën një shkelje, por është gjrtur kontrëta e njësuar në FSDKSH, por fakti i mos gjetjes së kopjes origjinale të kontratës në MSH, dhe mbi këtë pretendim që nuk duhet të vlerësohet provë e vlefshme, e kundërshtojmë dhe kërkojmë rrëzimin e kërkesës së të pandehurit.
Nga ana tjetër ish-ministri Beqaj u shpreh se e ka të vështirë të mbrohet dhe i janë shkelur të drejtat.
Ilir Beqaj: Organi i akuzës pranoi që në fazën e hetimeve mi ka cenuar hapur të drejtat e mia. Sot unë e kam të vështirë të bëj mbrojtjen. Me sa kuptoj, prokurorët kanë fituar pavarësinë ndaj drejtuesit të prokurorisë, por këtë pavarësi e përdorin sot për të shkelur të drejtat procedurale dhe bëjnë çfarë të duan pas Reformës në Drejtësi.
Beqaj ndodhet në burg që prej 4 korrikut të 2024 për abuzimin me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Por po ashtu, po hetohet edhe lidhur me dy koncensionet në Shëndetësi, Sterilizminin dhe Chech-up. Ai u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK për koncesionin 100 milionë euro të sterilizimit./ZËRI