TIRANË-Stuhia tropikale e paralajmëruar që do të prekte sot vendin ka goditur Tiranën, Durrësin, Vlorën, Lezhën dhe Shëngjini. Era e fortë ka prekur Tiranën, duke marrë çdo gjë para. Pemët janë shkulur në disa zona të kryeqytetit, te Treni, Shkolla e Bashkuar apo tek zona e Oxhakut, duke bllokuar qarkullimin rrugor.
Ndërkohë objekte në ambientet e jashtme si çadra, karrige dhe të tjera janë rrëzuar. Nga stuhia janë shkëputur edhe disa pjesë të grilave të dritareve.
Nga ana tjetër Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore përmes një njoftimi në rrjetet sociale u bën apel kanterëve të ndërtimit që duhet të marrin masat e nevojshme parandaluese në rastet e motit të keq. Ata theksojnë se mbrojtja e punonjësve është thelbësore, dhe në kushtet e një stuhie puna duhet të ndërpritet. Një qytetar për JOQ ka ndarë edhe momentin se si dukej stuhia në një kantier ndërtimi. I alarmuar ai raporton se s’ka asnjë kat skelë sigurie të montuar dhe nëse do kishte punëtorë në këtë moment në ndërtesën në video, do fluturonin të gjithë në tokë.
Stuhia e shoqëruar me reshje të dendura ka shkaktuar probleme edhe në qytetin e Lezhës. Përmbytjet kanë prekur disa zona kryesore, mes tyre bulevardin “Gjergj Fishta” dhe bllokun e banimit “11 Janari” në lagjen Besëlidhja. Situata e rënduar nga moti i keq ka sjellë edhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në Shëngjin.
OSHEE bën me dije probleme me energjinë elektrike kryesishst ka në zonat rurale, ku janë linjat ajrore dhe të shtrira me gjatësi disa dhjetëra kilometra. Zonat më të prekura janë Lushnja, Kuçova dhe Vlora. Punonjësit janë në terren por nuk mund të ndërhyjnë kur moti është i keq.
Edhe Durrësi është goditur sot nga një stuhi e fuqishme, e shoqëruar me erë të fortë dhe reshje të dendura shiu. Rrugët e qytetit janë përmbytur duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve. Stuhia ka detyruar pushuesit të kërkojnë strehim në ambiente të mbyllura. Gjithashtu dëme të mëdha raportohen në portin e Durrësit ku era e fortë ka këputur litarët që lidhin tragetet dhe duke krijuar kaos në zonën e anijeve.
Ndërkohë në Vlorë janë raportuar erëra shumë të forta që kanë sjellë një stuhi rëre, duke mbuluar qytetin bregdetar. Stuhia ka shkaktuar dukshmëri të ulët në rrugë, e cila ka krijuar vështirësi për qytetarët. Situata është shoqëruar edhe me trafik të rënduar, pasi shumë pushues kanë zgjedhur të largohen me shpejtësi nga qyteti.
Edhe qyteti i Berat është goditur nga një stuhi e fortë ere dhe reshje shiu. Era e fortë ka ngritur pluhurin ë qytetit në ajër ndërsa mjegulla ka mbuluar vendin./ZËRI