LUSHNJE-Dy vëllezër, të dënuar për vrasje në Lushnje, janë arrestuar në Itali. Bëhet fjalë për Artur Mëhilli, 60 vjeç dhe Arben Mëhilli, 54 vjeç, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për një krim të ndodhur në vitin 1999 në Lushnjë.
Sipas hetimeve, më 12 shtator 1999, dy vëllezërit vranë me armë zjarri shtetasin R. M., për motive gjakmarrjeje, pasi ky i fundit kishte vrarë vëllanë e tyre në vitin 1997, Sokol Mëhilli, i cili rezulton të jetë babai i banorit të Big Brother Vip, Stenaldo Mëhilli. Pas krimit, ata u larguan drejt Italisë duke përdorur identitete false, me të cilat siguruan edhe leje qëndrimi. Dy të arrestuarit janë xhaxhallarët e ish-banorit të Big Brother Vip 5.
Vetë Stenaldo tregoi brenda shtëpisë së 'BBV' edhe detajet e vrasjes së babait të tij kur ishte vetëm 1 muajsh.
"Unë kam lindur në Lushnje në 28 maj të 1997. Kam lindur në një qytet ku nuk kam jetuar kurrë, hiq muajin e parë të jetës time, derisa im atë në qershor të po atij viti ndërroi jetë, I vrarë në një mënyrë të poshtër në atë vit të poshtër për të gjithë shqiptarët që na ka bërë të humbasim më shumë se çdo herë në historinë tonë të brishtë. U vra nga dikush mbasi atij i dha një përqafim dhe i ktheu kurrizin për të vazhduar rrugën e tij. Dhe kjo është arsyeja pse unë gjithmonë kam thënë që në këtë botë të gjithë trimat vriten nga frikacakët. Kur njeriu rritet me një humbje të tillë nuk ka me asnjë moment dramatik në jetën e tij, nuk ka një moment kur ti e mëson, ti thjesht e di që ndryshe nga fëmijët e tjerë babai jot nuk është aty,"-deklaroi Stenaldo.
Ata ishin dënuar në vitin 2001 nga Gjykata e Lushnjës për “vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, si dhe për “mbajtje pa leje të armëve”, përkatësisht me 15 vite e 6 muaj dhe 16 vite e 6 muaj burgim. Pas arrestimit në shtetin fqinj, autoritetet shqiptare dhe italiane po bashkëpunojnë për të finalizuar procedurat e ekstradimit në Shqipëri të Artur dhe Arben Mëhillit, për të vuajtur dënimin.
Njoftimi i policisë:
Kapen në Itali, falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Italiane, dy vëllezër të dënuar për vrasje.
Në vitin 1999, në Lushnjë, vranë me armë zjarri shtetasin që kishte vrarë vëllanë e tyre.
Vëllezërit, të dënuar me 32 vjet burgim, kishin siguruar leje qëndrimi në Itali duke përdorur identitete false.
Identifikimi i tyre është rezultat i përdorimit të teknologjisë “Facial Recognition”, tashmë në dispozicion të Interpol Tiranës.
Në kuadër të operacioneve ndërkombëtare të njëpasnjëshme, të finalizuara si rezultat i bashkëpunimit dhe besueshmërisë së strukturave të Policisë së Shtetit ndaj homologëve dhe partnerëve evropianë, Departamenti i Policisë Kriminale në DPPSh, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, siguruan informacion për vendndodhjen në Itali, të dy vëllezërve të dënuar për vrasje.
Informacioni u shkëmbye mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, me koordinimin e Sekretariatit të Përgjithshëm të Interpolit.
Si rezultat, u arrestuan në Itali shtetasit Artur Mehilli, 60 vjeç, dhe Arben Mehilli, 54 vjeç.
Ata ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në vitin 2001, i ka dënuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, konkretisht:
-shtetasin Artur Mehilli, me 15 vjet e 6 muaj burgim;
-shtetasin Arben Mehilli, me 16 vjet e 6 muaj burgim.
Më datë 12.09.1999, në Lushnjë, dy shtetasit vranë, për motive gjakmarrjeje, shtetasin R. M., i cili në vitin 1997 kishte vrarë vëllanë e tyre, shtetasin S. M.
Të arrestuarit, pas kryerjes së krimit, janë larguar në Itali duke përdorur pasaporta me gjeneralitete false (shtetasi Artur Mehilli përdorte gjeneralitetet Artur Davidhi, ndërsa shtetasi Arben Mehilli përdorte gjeneralitetet Arben Gjermeni), nëpërmjet të cilave kishin siguruar dokumentet e nevojshme për qëndrim në Itali.
Identifikimi i tyre u mundësua si rezultat i një pune intensive, duke përdorur teknologjinë më të fundit të identifikimit biometrik “Facial Recognition”, nga specialistët e Drejtorisë së Interpolit.
Vijon bashkëpunimi me homologët italianë për të finalizuar procedurën e ekstradimit të dy shtetasve, në Shqipëri.