TIRANË-Aleks Ndreka (Aleksandër Deda), i njohur edhe me nofkën "Leksi i druve" është ekstraduar sot nga Italia.
Ndreka ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza” në korrik 2023 dhe ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” në mungesë, për veprat penale “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “sigurim kushtesh dhe mjetesh për të kryer vrasje”. Ai u arrestua në Itali më 7 qershor 2024, në aeroportin e Malpensës në Milano.
Ndreka dyshohet se ka pasur rol në sigurimin e informacioneve për vendndodhjen e disa personave, mes tyre Dorian Duli, Ibrahim Lici dhe Genc Tafili. Ai akuzohet se ka bashkëpunuar me Prekë Kodrën për organizimin e atentateve ndaj tyre. Për këto vepra penale, GJKKO ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë "arrest me burg" në mungesë.
Njoftimi i policisë:
Siguroi kushtet për vrasjen e tre shtetasve shqiptarë, në vitin 2017, ekstradohet nga Italia, 49-vjeçari.
Në vijim të koordinimit të veprimeve operacionale, me homologët italianë, nëpërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe specialistëve të Interpol Romës, gjatë kësaj faze të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua procedura për ekstradimin nga Italia, në Shqipëri, të shtetasit A. N. alias A. D., 49 vjeç.
49-vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar, sepse Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Shtetasi A. N. alias A. D. akuzohet se pasi ka siguruar informacion mbi vendndodhjen e 3 shtetasve shqiptarë, ka organizuar dhe ka koordinuar bashkëpunëtorët e tij, duke organizuar prita, me qëllim vrasjen e tyre.
Kush është "Leksi i druve"?
Aleksandër Deda, 49 vjeç, është një personazh i njohur në Lezhë, ku njihet si biznesmen. Deri para vitit 2020, emri i tij nuk ishte dëgjuar kurrë pasi nuk kishte pasur probleme me Policinë e Shtetit. Por kjo vetëm deri në dhjetor të atij viti, pasi ndaj tij u organizua një atentat që nuk do të ishte i pari për të. Disa të tjerë pasuan, madje një tentativë për vrasjen e tij u planifikua edhe me dron.
Me "çmontimin" e dosjes "Revanshi", u zbulua edhe arsyeja se përse ndaj tij ishin organizuar disa prita për ta ekzekutuar. Arsyeja ishte se ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka, dyshonte se "Leksi" kishte gisht në vrasjen e vëllait të tij, Aleksandrit. Për Ndokën, Ndreka dhe një biznesmen tjetër nga Lezha, tashmë i vrarë, Ardian Nikulaj kishin 'pajtuar' Durim Bamin për t'i ekzekutuar të vëllanë. Ndaj në dosje, zbulohen planet që Ndoka bënte për të hequr qafe "të fortin e Niklës", por edhe Ndrekën.
Fillimisht në vitin 2020 në superstradën Lezhë-Laç, ai u plagos në gjoks me armë zjarri, më pas në mars të vitit 2022 u tentua sërish vrasja e tij, por shpëtoi nga një xhup i fryrë dhe me pupla, ndërsa më pas eliminimi i tij u tentua edhe me dron. Mirëpo në asnjë rast, planet e thurura kundër tij patën sukses./ZËRI

