LUSHNJË-Të shtëna me armë zjarri janë raportuar paraditen e kësaj të marte në Lushnjë.
Burime bëjnë me dije për ZËRI se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të makinës së Julian Sulës, i njohur ndryshe dhe si Juli i Pashakos.
Paraprakisht njoftohet se tre persona kanë qëlluar në drejtim të automjetit në lëvizje në afërsi të kryqëzimit të spitalit të këtij qyteti.
Si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur Sula, ndërsa makina e autorëve u gjet e djegur.
Julian Sula është një personazh i njohur i botës së krimit në Lushnje, i skeduar në disa ngjarje, ndërsa njihet dhe si rival i grupit të Aldo Bares.
“Rreth orës 10:40, në afërsi të stadiumit Lushnjë, dyshohet se është plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasi J.S, 45 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Në afërsi të fshatit Lifaj, është konstatuar një automjet duke u djegur, i cili dyshohet se u përket autorëve.
Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njoftoi zyrtarisht policia e Lushnjes./ZËRI