TIRANË- Momente tensioni janë shënuar sot para Kryeministrisë, në prag të protestës së 29-të të paralajmëruar për mbrëmjen e sotme, pasi forcat e policisë kanë ndërhyrë për largimin e disa sendeve të vendosura nga protestuesit në shkallët e godinës.
Rreth 100 efektivë policie janë vendosur para Kryeministrisë, ku prej një jave protestuesit kanë qëndruar dhe kanë kaluar natën si shenjë proteste, duke kërkuar largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
View this post on Instagram
Gjatë ndërhyrjes, policia ka larguar stolat metalikë të përdorur nga protestuesit si barriera sigurie pranë podiumit të improvizuar, si dhe disa sende simbolike të vendosura në shkallët e Kryeministrisë, përfshirë këpucë të lëna nga qytetarët në shenjë simbolike në kujtim të emigrantëve.
Në disa momente është raportuar edhe tension mes qytetarëve dhe forcave të rendit. Një prej protestuesve është dëgjuar të thotë: “Mos i prekni këpucët, kjo është vjedhje e vullnetit popullor”, ndërsa ka pasur edhe përplasje verbale gjatë tentativës së policisë për të larguar pajisje dhe sende të përdorura në protestë.
Sot në mbrëmje pritet të zhvillohet protesta e 29-të radhazi kundër qeverisë, ku kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. /ZËRI