BRITANI E MADHE- Media Britanike "The Sun" i ka kushtuar një artikull vrasjes së Ardian Nikulajt, ngjarje e ndodhur më 19 prill të 2023, teksa ndodhej brenda ambienteve të lokalit të tij në Shëngjin. ‘The Sun’ udhëtoi në Shqipëri për të rindjekur hapat e skuadrës së dyshuar të vrasësve në ditët dhe orët para atentatit.
I maskuar si shpërndarës picash me motor, pamjet e kamerave tregojnë një vrasës me pagesë që hyn qetësisht në një bar buzë detit në Shqipëri dhe e qëllon biznesmenin Ardian Nikulaj shtatë herë me pistoletë.Videoja tronditëse e ekzekutimit brutal mund të duket si një skenë nga një triller hollivudian. Por kjo ishte një vrasje reale, kapitulli më i fundit i një hasmërie 30-vjeçare, që deri tani ka marrë tetë jetë.
Familja e shkatërruar e Ardianit hapi gjithashtu dosjen e provave që, sipas tyre, tregon qartë kush qëndronte pas vrasjes brutale. Ata zbuluan edhe frikën se zinxhiri i vrasjeve nuk ka përfunduar ende, ku vëllai i Ardianit është paralajmëruar se ka një shpërblim prej 1.7 milionë paundësh për kokën e tij, ndërsa armiqtë në Britani po kërkojnë nëpër botë një vrasës të gatshëm ta marrë kontratën.
Vëllai i Ardianit, Arben Nikulaj: Çdo natë i puth fëmijët e mi pa e ditur nëse do t’i shoh përsëri në mëngjes.
E veja e Ardianit, Rudina, 49 vjeçe, shpërtheu në lot teksa i tha The Sun: “Vrasjet duhet të ndalen — ka pasur mjaft. Ne kërkojmë drejtësi për Ardianin dhe i lutemi Britanisë së Madhe të bëjë gjënë e duhur dhe t’i dërgojë këta persona këtu për t’u përballur me drejtësinë. Por gjakderdhja duhet të marrë fund. Shumë fëmijë kanë mbetur pa baba”.
Hasmëria nisi në vitin 1997, kur vëllai i Ardianit, Pëllumb Nikulaj, punonte si roje sigurie në një pikë karburanti dhe u përplas me familjen Lekstakaj.
Një i ri ishte larguar pa paguar pasi kishte mbushur makinën me karburant, ndaj Pëllumbi shkoi të fliste me të atin për të kërkuar pagesën. Disa orë më vonë, një grup prej shtatë personash, të armatosur me automatik, mbërriti në pikën e karburantit dhe vrau Pëllumb Nikulajn dhe pronarin e biznesit. Gjatë dy viteve pasuese, pati edhe tre vrasje të tjera: dy anëtarë të familjes Lekstakaj dhe një person i armatosur nga e njëjta familje, pasi ai kishte ngritur pritë ndaj xhaxhait të Pëllumbit, Nikoll Nikulaj.
Hetimi për vrasjen e Ardian Nikulajt
Policia nisi hetimet dhe shpejt dyshimet u përqendruan te disa britanikë që kishin qëndruar në hotelin e Ardianit. Mes tyre ishte Harry Simpson, i cili kishte disa ditë aty dhe sjellja e tij u duk e çuditshme për familjen edhe para atentatit.
Policia u fokusua gjithashtu te Harriet Bridgeman, 30 vjeçe, nënë e re. Të dhënat e regjistrimit tregojnë se ajo kishte rezervuar një dhomë treshe me ballkon për katër net përmes Booking.com, me kosto 388 euro. Ajo mbërriti të hënën, më 3 prill, rreth dy javë para atentatit, dhe shpejt ngriti dyshime për shkak të përpjekjeve të saj për t’u afruar me Ardianin.
Lufta për drejtësi
Pas atentatit, policia gjeti motorin e arratisjes të hedhur në një lumë. U zbulua se ishte shitur online pak kohë para vrasjes. Shitësi u tha hetuesve se blerësja ishte një grua, e cila më pas deklaroi se i dashuri i saj, Edmond Haxhia, kishte përdorur dokumentet e saj për ta blerë motorin. E njëjta grua kishte marrë gjithashtu dy burra nga aeroporti i Tiranës para atentatit: Simpson dhe Ruben Saraiva.
Hetuesit besojnë se Saraiva ishte ekzekutori, dhe pasi u lokalizua në Marok, u sigurua ekstradimi i tij në Shqipëri. Ai është i vetmi nga grupi i dyshuar që ndodhet aktualisht në Shqipëri për gjykim. Nëse kërkesa për ekstradim miratohet, në bankën e të akuzuarve do të ulen edhe Haxhia, Simpson, Steven Hunt, Thomas Mithan dhe Harriet Bridgeman.
Gjykatësi Daniel Sternberg deklaroi se qeveria shqiptare pretendon se Edmond Haxhia organizoi atentatin, Ruben Saraiva kreu vrasjen, ndërsa të tjerët morën pjesë në vëzhgimin dhe planifikimin e ekzekutimit. Të gjithë të akuzuarit mohojnë përfshirjen dhe kanë apeluar vendimin në Gjykatën e Lartë në Londër. Vendimi përfundimtar pritet të shpallet së shpejti.